LajmeMaqedoni

Asnjë nxënës nuk është regjistruar në klasë të parë në dy fshatra të Tetovës

Në shkollat fillore të Tetovës këtë vit është ulur ndjeshëm numri i nxënësve të regjistruar në klasë të parë, shkruan Alsat.

Përderisa një vit më parë, kishte 1 091 nxënës të regjistruar në klasë të parë, sivjet janë dhjetëra më pak, apo 1033 gjithsej.

Kjo shifër, madje nuk është edhe aq alarmante nëse të njëjtës, nuk i shtohet edhe numri i nxënësve që kanë kërkuar fletëshpërnguljet brenda vitit, si pasojë e ikjes së tyre në mërgim. Drejtoresha e shkollës fillore “Liria” në Tetovë, thotë se, në vit të paktën 30 nxënës ikin nga vendi.

“Ky rast në shkollën tonë është gjithnjë e më i shpeshtë, për dhënie të fletëshpërnguljeve për shtetet në perëndim. Përafërsisht 30 brenda vitit kemi. Kjo është shumë e dhimbshme, mësohemi me ata nxënës dhe kur ikin duket si me ik një anëtar i familjes”, tha Samije Alili, Drejtoreshë e Sh.F.”Liria” Tetovë.

Arsimtari Zija Ademi i shkollës fillore “Istigball” në Tetovë, thotë se, bankat gjithnjë e më tepër po zbrazen. Edhe për kundër faktit se po ndërtohen kabinete të reja moderne, shpejtë nuk do ketë kush t’i përdor ato, thotë Ademi.

“Bankat gjithnjë e më tepër ngelin të zbrazëta, kjo sivjet në shkollën tonë ndodh tek klasat e para dhe e dyta është mungesa që e kemi e nxënësve në shkollat territoriale në Gajre dhe Lisec, pra ka filluar të ndjehet mungesa e nxënësve. Migrimi e bën të veten, por pasojat si duket në vitet që vijnë do jenë të mëdha. Në shkollën tonë për herë të parë sivjet hapëm kabinetin dhe deri sa rregulloja mjetet sot më erdhi ndërmend pyetja që ma bëtë. Do vjen koha që ky kabinet i bukur i nxënësve, do vjen një ditë e do mbetet zbrazët”, u shpreh Zija Ademi, Arsimtar në Sh.F.”Istigball” Tetovë.

Për dallim prej qytetit, ku largimet janë nga 30 deri në 40 nxënës brenda vitit, në malësi të Sharrit, situata paraqitet shumë më e rënd. Në disa fshatra rrezikohet edhe mbyllja e tërësishme e shkollave si pasojë e mungesës së nxënësve, thonë nga sektori për arsim në komunën e Tetovës.

“Është shkolla “BESA” e Veshallës, dhe si komunë po bëjmë analizat për të bërë një zgjidhje për ata pesë nxënës që kanë mbetur në atë shkollë, që t’i sistemojmë në ndonjë farë forme në shkolla të tjera. Jemi në komunikim edhe me udhëheqësin e shkollës “BESA” të Veshallës, po ashtu edhe me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës që për këta nxënës dhe këtë kuadër të kësaj shkolle të gjejmë një zgjidhje, që të mos dëmtohet kuadri i asaj shkolle por edhe nxënësit”, theksoi Nazmi Dauti, Përgjegjës i sektorit për arsim në komunën e Tetovës.

Përveç shkollës së Veshallës, pa asnjë nxënës në klasë të parë është edhe fshati Bozovcë, që po ashtu do duhet të bëhet një zgjidhje. Ndryshe, sivjet në Tetovë janë regjistruar në klasë të parë gjithsej 1033 nxënës në gjithsej 12 shkolla fillore të komunës së Tetovës./ Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button