Ballkani Perëndimor përmes nismës Ballkani i Hapur kërkon politikë të re progresive. Pres edhe Mali i Zi së shpejti të bëhet anëtar i Ballkanit të Hapur. Rajoni po dërgon mesazhe të cilat në të kaluarën nuk mund t’i dërgonte – atë që të tjerët nuk mund të bien dakord, ky rajon mund të dakordohet. Ballkani i Hapur është një nismë e suksesshme dhe Mali i Zi dëshiron të jetë ndër nismat që janë progresive dhe të suksesshme – që çojnë në pajtim dhe përparim.
Këtë e deklaroi kryeministri malazez Dritan Abazoviqi në hapjen e samitit të liderëve të Ballkani i Hapur në Beograd.
“Kemi provuar gjithçka nëpër histori – kemi provuar me mure, provuam me luftëra, provuam me kriza, me konflikte, me akuza. Nuk kemi provuar ende të bashkëpunojmë. Është koha që ta zgjedhim paqen dhe të zgjedhim përparimin”, tha Abazoviqi.
Sipas tij, është koha që të kuptojmë se fleksibilitet më i madh i kufijve nuk do të thotë ndryshim i kufijve, por një mundësi më të madhe për pajtim, për biznes dhe progres, për bashkim, për mobilitet dhe gjithçka që duhet të nënkuptojë prurjen e një fryme të re evropiane në rajon.
“Qytetarët janë ngopur nga politikat e së kaluarës, nacionalizmin, akuzat, duhet të ofrojmë diçka tjetër, e kjo do të thotë bashkëpunim më të madh. Dhe në një moment kur të gjithë i përmbushim të gjitha standardet, së bashku të gjendemi në familjen e madhe evropiane”, theksoi Abazoviqi.