Profesori austriak Erik Sorantin njëherësh edhe udhëheqës i Departamentit të radiologjisë për pediatri në Universitetin e Mjekësisë të Gracit e vizitoi Universitetin e Tetovës. Gjatë vizitës së tij në Universitetin tonë, ai u prit në takim nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Shefik Shehu. Në këtë takim ato diskutuan për shumë tema, të cilat janë të rëndësishme për dy universitetet tona në përgjithësi e në veçanti për studentët dhe profesorët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë.
Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i UT-së, Prof. Dr. Shefik Shehu r falënderoi profesorin Erik Sorantin, për mbështetjen që i ka dhënë Universitetit të Tetovës në rrjetin ndërkombëtar Image Processing, Information Engineering & Interdisciplinary Knoëledge Exchange që funksionon në kuadër të platformës CEEPUS. Ai, njëherësh shprehu edhe mirënjohje të thellë ndaj tij për besimin e paluhatshëm që ka pasur ndër vite ndaj Universitetit të Tetovës dhe përfshirjes së UT-së përmes Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë dhe Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar, në një nga rrjetet më të mëdha multi-institucionale dhe multi – diciplinore në Evropë dhe në shumë
nisma të tjera ndërkombëtare në fushën e mjekësisë.
Nisur nga kjo, Prof. Dr. Shefik Shehu tha se, Universiteti i Tetovës është i interesuar për thellimin e bashkëpunimit me Universitetin e Mjekësisë të Gracit edhe në fusha të tjera, e në veçanti në kuadër të programit Erasmus+, për mobilitet të studentëve dhe stafit akademik, ku deri më tani përmes rrjetit akademik CEEPUS një numër i konsiderueshëm i stafit akademik të UT-së kanë qëndruar për vizita studimore në Grac dhe në institucione të tjera simotra. Gjatë qëndrimit të tij në UT, profesori Erik Sorantin mbajti një ligjëratë profesionale para studentëve dhe stafit akademik të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë.