Projekti për rehabilitimin e plotë dhe zgjerimin e Spitalit Infektiv në QSUT është drejt përfundimit, ku më shumë se 70% e punimeve kanë mbaruar dhe shumë shpejt pritet të vihet në funksion të plotë.
Me një kapacitet të ri prej 118 shtretërish dhe dyfishim të ambienteve të reanimacionit, Spitali Infektiv do të kthehet në një qendër ekselence dhe reference për të gjithë vendin.
Kryeministri Rama bashkë me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ishin në ambientet e spitalit, të cilat në përfundim do të ofrojnë kushtet dhe standardet më të larta ndërkombëtare, për t’iu përgjigjur çdo emergjence të shëndetit publik.
“Jemi drejt përfundimit të punimeve të rehabilitimit të Spitalit Infektiv. Tashmë jemi në 70% të punimeve dhe rreth datës 15 tetor shpresojmë që ta kemi funksional spitalin infektiv që tashmë kthehet në një qendër të vërtetë ekselence dhe reference për të gjithë sëmundjet infektive. Kemi një rritje të kapaciteteve, 118 shtretër dhe zgjerojmë e dyfishojmë laboratorët dhe reanimacionin”, – u shpreh ministrja Manastirliu.
Kryeministri Rama vlerësoi ecurinë e punimeve në këtë spital i cili do të krijojë kushte optimale, jo vetëm për pacientët por edhe për stafin.
Spitali do të jetë i pajisur me çdo sistem teknologjik të fjalës së fundit si dhe me auditor e salla leksioni për studentët e mjekësisë.