LajmeMaqedoni

Xhaferi: VMRO mund ta bllokojë, por Kuvendi do të punojë pa probleme

Nëse VMRO DPMNE-së mbledh 150 mijë firma për referendum për ndryshimet kushtetuese, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi tha se do ta vendosë në procedurë parlamentare. Ai tha se nuk ka asnjë arsye për mos respektimin e procedurës.

“Kjo është një pyetje hipotetike. Në çdo rast ka Rregullore, procedurë të rregullores, kështuqë unë si kryetar i Kuvendit, deputetët dhe kushdoqoftë, nuk mund t’i shmangemi procedurës pasi që është parakusht, përveç nëse nuk sillem ashtu siç sillen kryetarët e komisioneve lidhur me pika të caktuara, për shembull ata të cilët nuk I thirrin seancat. Por në çfarëdo rasti unë do t’i plotësoj të gjitha detyrimet që dalin nga rregullorja e punës së Kuvendit dhe kompetencat e detyrimet të kryeparlamentarit për respektim të procedurës, unë nuk kam arsye që të mos e respektoj procedurën”, tha Talat Xhaferi, Kryeparlamentar.

Duke folur për ligjet e bllokuara, Xhaferi tha se Kuvendi megjithatë funksionon dhe do të funksionojë, duke nënvizuar se opozita nuk mund ta bllokojë punën e Kuvendit në tërësi, por vetëm pikat të cilat që janë në komisionet që drejtohen nga përfaqësuesit e opozitës.

“Nuk mund të ketë bllokim të tërësishëm të Kuvendit, pasi mund të mos shqyrtohen pikat që janë në komisionet me të cilat udhëheqin ata, por komisionet tjera në të cilat do të shqyrtohen pikat, gjithësesi se ka kushte që të shqyrtohen nëpër seanca plenare, ndërsa plenarja sipas rregullores është planifikuar dhe ka kohën e fillimit dhe fundit të diskutimit, kështuqë Kuvendi do të vazhdojë të punojë pa ndërprerë”, shtoi ai.

Në Kuvend mbeten të bllokuara mbi 20 ligje. VMRO DPMNE-ja që në muajin maj ka filluar bllokimin aktiv të Kuvendit, pas refuzimit të ofertës për takim liderësh për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare./Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button