Me fillimin e vitit të ri shkollor rritet edhe interesimi i prindërve për të blerë mjete shkollore të cilat u nevojiten fëmijëve të tyre. Me gjithë dëshirën që fëmijët të jenë të kompletuar, megjithatë edhe këtë vit çmimet janë të larta në krahasim me rrogën dhe gjendjen ekonomike, ndërsa prindërit zgjedhin një mesatare, por edhe pajisje me çmime më të ulta. Në këtë drejtim, prindërit edhe këtë fillimvit shkollorë do të duhet të ndajnë nga buka e gojës për të dërguar fëmijët e tyre në shkollë.
Libraritë të cilat merren me këtë aktivitet kanë mbushur raftet e tyre me artikuj të larmishëm për t’iu përshtatur kërkesave të tregut dhe mundësojnë furnizimin e nxënësve me mjetet e nevojshme shkollore. Edhe pse në kohë të krizës ekonomike ku është vërejtur ndryshim i çmimeve në shumë sektorë, tregtarët thonë se nuk ka lëvizje të çmimit të artikujve bazik si çanta, lapsi, goma etj. Të vetmet artikuj që kanë ndryshuar çmimin janë artikujt e letrës, pasi ka patur një rritje të çmimit të lëndës së parë.
“Sa i përket fillimit të vitit shkollor dhe interesimi i prindërve është jashtëzakonisht i lartë dhe ata kanë filluar të furnizohen me çanta, fletore, ngjyra, lapsa e kështu me radhë. Ka një lëvizje të çmimeve tek fletoret dhe blloqet e vizatimit, kurse tek tjerët – çmimet janë pothuajse të njëjta. Rritja e çmimit të letrës ka bërë që të rriten edhe çmimet e fletoreve. Nuk ka shumë ankesa nga ana e prindërve, sepse ata janë bërë si duket imun ndaj rritjes së shpeshtë të të gjitha çmimeve, pra fundja – këto materiale janë më së të nevojshme prandaj edhe duhet patjetër që t’i marrin”, tha Abaz Islami nga libraria “Rilindja”.\Nistori\