GostivarLajme

Ndërtimet pa leje, Taravari: Akuzat e Antikorrupsionerit të pabaza dhe me motiv politik

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, në një konferencë për media, ka hedhur poshtë akuzat për përfshirjen e tij në një rast ndërtimi pa leje, të cilin e bëri publik dje një anëtar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK). Ai vlerëson se pas akuzave fshihet presioni politik nga partitë që janë në pushtet.

“Kjo është një përpjekje klasike për diskreditim personal. Më herët kanë tentuar të konstatojnë paligjshmëri me kontrollet e policisë financiare, por nuk ia kanë dalë, ndaj tani të njëjtën gjë duan ta bëjnë përmes KSHPK-së. Më akuzojnë se kam mbajtur një lëndë për tre vjet në sirtar dhe nuk kam vepruar. Kjo nuk është e vërtetë, sepse kjo çështje është trajtuar në disa raste. Kështu llogariten disidentët politikë”, tha Taravari në konferencën për media.

Para gazetarëve ai tregoi dokumente dhe ka sqaruar se bëhet fjalë për një shtëpi, jo për objekt kolektiv banesor, për ndërtimin e së cilës është dhënë leja në korrik 2018. Tre muaj më vonë, pas fillimit të ndërtimit, inspektimi kompetent ndërtimor konstaton, tha Taravari se ka pasur devijim nga leja.

Sipas tij, inspektorët në dy raste kanë kërkuar prishjen e pjesës jashë lejes së ndërtuar, por për rrënim kërkohet vendim gjykate. Taravari theksoi se në kuadër të kompetencave, vitin e kaluar është dorëzuar raport në PTHP Gostivar, ku po punohet për këtë çështje dhe siç tha ai, deri në përfundimin e hetimeve dhe marrjen e vendimit gjyqësor, pushteti lokal nuk mund të veprojë.

Në mbledhjen e djeshme të Antikorrupsionit, thuhej se “Më shumë se tre vjet pasi është konstatua se në Gostivar po ndërtohej një objekt jashtë Planit Detal Urbanistik në një lokacion afër Njësitit të zjarrfikësve, për shkak të mosveprimit, Komisioni Kundër Korrupsionit filloi iniciativën për ndjekje penale të kryetarit Arben Taravari dhe inspektori kompetent i ndërtimit në komunë. Rasti është referuar nga anëtari i Antikorrupsionit, Shemsi Sallai, i cili krahas iniciativës për ndjekje penale të zyrtarëve komunal, ka dërguar kërkesë në Këshillin e Prokurorëve Publik për përgjegjësinë e prokurorit për përgjegjësi ndaj një prokuroi nga Gostivari sepse ai “e ka mbajtur çështjen në sirtar” për tre vjet në vend që të përfundonte hetimin.

Show More

Related Articles

Back to top button