Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane dhe negociatori kryesor me BE-në, në paraqitjen e përbashkët me ekspertin kroat të integrimeve evropiane, Vladimir Drobnjak, tha se tani as që duhet referendum dhe se është nuk është korrekte të shtyhen qytetarët në atë drejtim nga opozita maqedonase.
“Qëndrimi ynë ishte i qartë, se në vend që të fokusohemi në organizimin e një referendumi, të cilin, OBRM-PDUKM-ja e bojkotoi herën e kaluar kur ishte për Marrëveshjen e Prespës, është shumë më e rëndësishme të fokusohemi në ndërtimin e një konsensusi në Kuvend për reformat e mëtutjeshme, dhe për ato obligime që na presin nga negociatat, sepse tashmë janë në progres”, tha Mariçiq.
Sipas tij, nuk ka kuptim që t’i hapim këto çështje tani kur i kemi filluar negociatat, por gjatë negociatave duhet të fokusohemi në ato çështje që do të na imponohen, të cilat kanë të bëjnë me reformat e brendshme, sundimin e ligjit, për mjedisin, dhe për transportin dhe bujqësinë e kështu me radhë.
Eksperti Drobnjak theksoi se në Kroaci ka pasur një konsensus kombëtar për nevojën e hyrjes në Bashkimin Evropian dhe se negociatat si projekt nuk kanë qenë asnjëherë objekt diskutimi në parlamentin e tyre kombëtar.
“Ne si ekip negociator, nga fillimi deri në fund, kemi pasur një konsensus kombëtar për këtë. Një tjetër gjë e rëndësishme është që negociatat e bëjnë dhe transformojnë vendin për mirë. Negociatat janë një proces transformues, i cili përfundimisht rezulton me legjislacion më të mirë, administratë më të mirë shtetërore, ekspertë më të mirë, ju keni një shtet më të mirë. Dhe për këtë është e rëndësishme që negociatat që keni nisur janë negociata në të cilat negocion i gjithë vendi, nuk është projekt i elitave politike, është projekt shtetëror”, theksoi ish-negociatori kroat me Unionin, Vladimir Drobnjak.