Nisma e VMRO-DPMNE-së për referendum për shfuqizimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë do të presë deri të martën për të filluar procedurën parlamentare për vlerësimin e saj. Partia opozitare maqedonase akuzoi se qeveria ka një skenar që referendumi të mos zhvillohet, duke e hedhur poshtë nismën në Kuvend si të parregullt.
“Në skenarin e tillë rolin kryesor duhet ta ketë Talat Xhaferi, i cili vetëm do ta zbatojë atë që ka dhënë Kovaçevski. Pushteti e di se shumica dërrmuese e njerëzve që do të dalin në referendum do të votojnë “pro” anulimit të Marrëveshjes me Bullgarinë dhe për këtë po ikin”, tha Mile Lefkov – deputet i VMRO-DPMNE.
Burime të Alsat nga shumica thonë se udhëheqësia me e ngushtë nuk ka dhënë mendim për një hap të tillë dhe të gjitha opsionet për veprimin e tyre të mëtejshëm për çështjen e referendumit mbeten ende në lojë.
Paraprakisht, LSDM përmes komunikatës për media ritheksoi se kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, me referendum synon që ta shpëtojë “ulësen” e tij të lëkundur në Pallatin e bardhë, sepse anëtarë të shquar të partisë nuk pajtohen me të.
Ndërkohë, fati i nismës mbetet i paqartë. Kryeparlamentari Talat Xhaferi, i cili këtë nismë duhet ta përcjellë në komisionet parlamentare amë, as nesër nuk do të jetë në punë. Të premten nga shërbimet parlamentare është bërë me dije se ai është në udhëtim dhe me shumë gjasa të martën do të kthehet. Komisioni për sistem politik dhe Komisioni juridik ligjvënës presin që fillimisht Xhaferi t’ua dorëzojë nismën, e më pas të fillojnë të vlerësojnë nëse është në rregull. Deputetet Sonja Mirakovska dhe Snezhana Kaleska Vançeva, të cilat kryesojnë komisionet, thonë se nga momenti i dorëzimit të nismës, do të fillojë afati dyditor në të cilin duhet të marrin vendim.
Nëse komisionet vlerësojnë se nisma është siç duhet, pason mbledhja e 150.000 nënshkrime për referendum. Ndryshe, Xhaferi do të duhet ta vendos iniciativën për votim në seancë plenare. Nëse nisma shpallet si e parregullt, kryetari i Kuvendit njofton propozuesit brenda tre ditëve, të cilët kanë mundësi ta dorëzojnë sërish në institucionin ligjvënës. /alsat.mk