LajmeMaqedoni

55 vite mosmarrëveshje, Kisha Serbe e pranon dhe njeh autoqefalin

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe tha se Kuvendi i Kishës Serbe miraton dhe njeh autoqefalinë, përkatësisht pavarësinë e plotë të Kishës Ortodokse Maqedonase – Arqipeshkvisë së Ohrit.

Lajmin e bëri të ditur në liturgjinë e përbashkët të KOS-it dhe KOM-it, në Katedralen në Shkup.

Kjo është ndoshta ngjarja më e rëndësishme për Kishën Ortodokse në vend, që nga shfuqizimi i Kryepeshkopatës së Ohrit në vitin e largët 1767.

Më pas, besimtarët ortodoksë në vend humbën kishën e tyre të pavarur dhe filluan të bien nën autoritetin kishtar të fqinjëve të tyre, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë.

“Këshilli i kishës sonë bekon dhe miraton, pranon dhe njeh autoqefalinë”, tha Porfirij, Kryetar i KOS-it.

Vendimi i autoriteteve të kishës serbe vjen vetëm pesë ditë pasi të dy krerët mbajtën një liturgji të përbashkët në Beograd të enjten e kaluar, për të pajtuar dy kishat pas më shumë se gjysmë shekulli përçarje. Përkatësisht, Kisha Ortodokse Serbe dhe Maqedonase i ndërprenë marrëdhëniet zyrtare në vitin 1967 kur KOM-i, në kohën e Jugosllavisë, shpalli pavarësinë e plotë nga Kisha Serbe. Kjo ndodhi, sepse KOS nga viti 1920 ishte e fundit që menaxhoi jetën kishtare ortodokse në territorin e Maqedonisë së Vardarit, kur vendi ynë ishte pjesë e Serbisë. Mirëpo, menjëherë pas këtij akti, autoritetet shpirtërore në Beograd i ndërprenë marrëdhëniet me KOM-in, dhe kërkuan të njëjtën gjë ta bëjnë të gjitha kishat e tjera ortodokse në botë. Kështu edhe ndodhi. Kjo situatë e izolimit të plotë e KOM-it zgjati 55 vjet.

Kryepeshkopi Stefan falënderoi anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Ipeshkvijve të KOS-it.

“Vetëm kështu mund të presim me padurim ditën e Shpirtit të Shenjtë, sepse kur ndahet dashuria, ajo shumëfishohet. Letra jonë e falënderimit, e kam thënë tashmë, në ditëlindjen e kishës sonë … në Rrëshajë do të shërbejmë në tempullin e Patriarkanës Ekumenike …”, u shpreh z.z Stefan, kryetar i KOM-së.

Tani sinodet e dy kishave do të plotësojnë dokumentet ligjore, pas së cilës KOS do të njoftojë të gjitha kishat në botë. Kjo do të pasohet me shpalljen zyrtare të KOM-it, si kishë autoqefale nga Patriarku Ekumenik Bartolomeu.

Liturgjia e përbashkët me të do të shërbejë nga peshkopi Stefan më 12 qershor në selinë e Patriarkanës Ekumenike. Patriarkana Ekumenike ka një rëndësi të veçantë në Ortodoksi, sepse ajo u krijua menjëherë pas rënies së Perandorisë Romake dhe për shekuj ishte kisha kryesore e të krishterëve ortodoksë në botë në Kostandinopojë, Stambolli i sotëm./ Alsat.mk/

Show More

Related Articles

Back to top button