LajmeRajon

Kurti krenohet me ligjet e miratuara: Krimi e korrupsioni po luftohen, është rritur llogaridhënia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për punën e Qeverisë së tij në këtë periudhë, para kabinetit qeveritar.

Duke përmendur projektligjet që janë miratuar në Kuvend, Kurti tha se kjo praktikë do të vazhdojë edhe në këtë sesion.

Shefi i ekzekutivit përmendi luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe projektligjet që kanë të bëjnë me, siç tha, mirëqenien e qytetarit.

“Përmes projektligjeve të miratuara kemi luftuar krimin dhe korrupsionin dhe kemi ngritur llogaridhënien ndaj qytetarit me miratimin e shumë projektligjeve”, tha Kurti.

“Për të jetësuar ndryshimin e mirëfilltë demokratik vëmë theks mbi rendin dhe ligjin. Në vetëm 1/3 e mandatit kemi kaluar mbi 150 projektligje, ndërkaq në gjysmën e parë të këtij viti janë miratuar 87 sosh në Kuvendin e Republikës. Këtë javë ka rifilluar punën Kuvendi, ku nesër do ta kemi seancën e parë të sesionit vjeshtor dhe urojmë që ky sesion të jetë edhe më i suksesshëm”.

Mes të tjerash, Kurti thotë se të gjitha këto korrespondojnë me vullnetin ndaj fuqizimit të shtetit.

“Shifrat korrespondojnë me vullnetin dhe kontributin ndaj fuqizimit të shtetit mbi parimet më të mira që mbrojnë të drejtat e liritë themelore dhe pamundësojnë shmangien nga zbatimi i ligjit”.

“Përmes projektligjeve të miratuara kemi fuqizuar mekanizmat për luftimin e krimit dhe korrupsionit nëpërmjet reformës në Këshillin Prokurorial, deklarimin më efikas dhe transparent të pasurisë, potencimin e rolit parandalues të Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe inicimit të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme. Përmes projektligjeve të miratuara kemi luftuar krimin dhe korrupsionin dhe kemi ngritur llogaridhënien ndaj qytetarit me miratimin e shumë projektligjeve. Përveç vetingut si reformë në drejtësi, po vazhdojmë me temat që kanë të bëjnë me çështje sociale”.

Fjalimi i plotë:

I nderuari kabinet qeveritar,

Të dashur qytetarë,

Mirë se e gjejmë njëri tjetrin në mbledhjen e 96-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në javën e ardhshme shënojmë 1 vit e gjysmë të qeverisjes sonë demokratike e progresiste. Kthesa që kemi marrë drejt zhvillimit të shoqërisë, nuk mund të jetë e qëndrueshme pa sundim të ligjit, siguri juridike e zbatim të të drejtave të njeriut. Pra, për të jetësuar ndryshimin e mirëfilltë demokratik vëmë theks mbi rendin dhe ligjin, parashikueshmërinë juridike dhe barazinë.

Në vetëm 1/3 e mandatit kemi kaluar mbi 150 projektligje. Ndërkaq, në gjysmën e parë të këtij viti janë miratuar 87 sosh në Kuvendin e Republikës. Këtë javë ka rifilluar punën Kuvendi. Nesër do ta kemi seancën e parë të sesionit vjeshtor dhe urojmë që ky sesion të jetë edhe më i suksesshëm. Shifrat rekorde korrespondojnë me vullnetin e kontributin ndaj fuqizimit të shtetit mbi parimet më të mira që mbrojnë të drejtat e liritë themelore dhe pamundësojnë shmangien nga zbatimi i ligjit.

Përmes projektligjeve të miratuara kemi fuqizuar mekanizmat për luftimin e krimit dhe të korrupsionit nëpërmjet reformës në Këshillin Prokurorial, deklarimin më efikas dhe transparent të pasurisë, potencimin e rolit parandalues të Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe inicimit të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme. Gjithashtu, kemi ngritur llogaridhënien ndaj qytetarit përmes projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike e atij për Qeverinë. Për të siguruar efikasitet në trajtimin e kontesteve komerciale kemi themeluar Gjykatën Komerciale, kurse sot do të trajtojmë projektligjin për Prokurorinë Speciale e atë për Prokurorin e Shtetit.

Përveç vetingut si reformë thelbësore në sistemin e drejtësisë, të cilën ia kemi besuar përfaqësuesve të popullit, vazhdojmë me trajtimin e temës nga e cila varet stabiliteti e kohezioni social.

Spektri i konfliktit të dhunshëm, luftës e i gjenocidit, ende shtrihet nëpër Evropë, duke bërë kështu iluzor zbatimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Funksionimi jo adekuat i institucioneve përgjegjëse apo mungesa e tyre, shpie te pamundësia e rindërtimit të paqes. Historia na mëson që zgjidhjet afatgjate janë të paarritshme atëherë kur nuk bazohen në parimet e drejtësisë, reparacioneve, të vërtetës dhe të garantimit për mos përsëritje.

Është detyrë e Qeverisë që, mbi të vërtetën, të ndërtojë mekanizma dhe institucione për ballafaqimin me të kaluarën dhe krijimin e kujtesës kolektive e cila do të na shërbejë jo vetëm neve, por edhe gjeneratave të ardhshme.

Për këtë, kam kënaqësinë që sot të hap mbledhjen me pikën e parë të rendit të ditës, e cila i referohet miratimit të projektligjit për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Dokumentimi dhe hulumtimi i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë janë thelb i këtij projektligji. Në të gjitha deklarimet e mia që kam pasur lidhur me këtë temë, kam potencuar që krimet e kryera dhe dëmet e shkaktuara duhen adresuar. Sepse, ato janë parakusht për paqe të qëndrueshme, stabilitet afatgjatë e zhvillim të mëtutjeshëm të shoqërisë. Një shoqëri që nuk harron sepse e institucionalizon kujtesën dhe që mbi supet e përgjegjësisë institucionale gjen drejtësinë, si parakusht për pajtimin dhe jetesën e dinjitetshme e të përbashkët.

Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë do të themelohet në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Dokumentimi i krimeve të kryera gjatë luftës, do të jenë në fokus të veprimit të Zyrës së Kryeministrit. Vetëm me respektimin e duhur të së kaluarës mund të kemi një të ardhme të ndritur.

Show More

Related Articles

Back to top button