Situata tek Juventusi nuk është aspak e qetë pas humbjes me Benfican, që ka vënë seriozisht në diskutim kalimin e fazës së grupeve.
Te “Zonja e Vjetër” duhet të nxjerrin përgjegjësitë e kësaj ecurie të dobët dhe i pari që vihet në shënjestër është trajneri Allegri. Dhe ka arsye për ta bërë këtë, sepse edhe lojtarët, madje ata me më shumë përvojë, janë të çuditur nga zgjedhjet e teknikut bardhezi.
Siç është raportuar nga “Amazon Prime Video”, duket se Angel Di Maria, pas vërshëllimës së trefishtë të gjyqtarit, i është drejtuar me habi polakut Arkadiusz Milik me fjalët: “Pse ju zëvendësoi?!”
Kjo pyetje e bërë nga argjentinasi (pa e ditur se do të kapej nga kamerat) kuptohet që i referohet Allegrit, i cili në minutën e 70-të hodhi në fushë Fagiolin në vend të ish-sulmuesit të Napolit.
“E hoqa Milikun sepse, duke aktivizuar Di Marian, ne ishim në telashe në mesfushë. Më duhej të largoja atë ose Vlahovicin. Milik dukej më I lodhur,” – ishte shpjegimi i dhënë nga trajneri në konferencën pas ndeshjes.
Milik, i cili ka pasur impakt të menjëhershëm që kur iu bashkua “Zonjës së Vjetër”, nuk deshi të krijonte polemika kur u pyet për bisedën me Di Marian: “Janë gjëra që do të mbeten mes nesh”.\Top Channel\