Në hapësirat e Komunës së Gostivarit, nën organizim të USAID-it, u mbajt prezantimi me temë “Procedurat për realizimin e prokurimit publik dhe trajtimin e kontratës për prokurim publik dhe ekzekutimin e buxheteve të komunave”. Në këtë prezantim ka marrë pjesë edhe Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, i cili ne fjalimin e tij përshendetës, falënderoi USAID-in për bashkëpunimin e deritanishëm dhe mbështetjen e vazhdueshme që kjo organizatë i bën Komunës së Gostivarit.
Në takim gjithashtu morën pjesë edhe kryetari i Këshillit të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, Sekretari i komunës dhe shefat e sektorëve dhe departamentëve, si dhe përfaqësues tjerë të administratës komunale.
“Kjo procedurë mbulon procesin e menaxhimit financiar dhe kontrollit në pjesën e fillimit të procedurës për prokurim publik, lidhjes së kontratës për prokurim publik, monitorimit të realizimit të kontratës për prokurim publik dhe pagesës së kontratës për prokurim publik. Procedura i referohet shpërndarjes së detyrave për të gjithë personat përgjegjës në Komunë, e gjitha kjo me qëllim të forcimit të kontrollit të brendshëm në Komunë, që në fakt do të thotë se të gjitha dokumentet që dalin nga ky proces do të kontrollohen dhe verifikohen nga të paktën dy persona nga sektorë/departamentë të ndryshëm”, shkruan kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari në rrjetet sociale.
Ky aktivitet është në kuadër të mbështetjes teknike të Projektit të USAID-it për forcimin e kapaciteteve për shfrytëzimin e resurseve të Komunës së Gostivarit, sqaron më tej taravari.
Komuna e Gostivarit që nga maji i vitit 2021 është partner-komunë e Projektit të USAID-it për forcimin e kapaciteteve për shfrytëzimin e resurseve, me mbështetjen e të cilit po punon në avancimin e këtyre fushave: Menaxhimi i financave publike komunale; Planifikimi dhe realizimi i buxhetit; Transparenca dhe llogaridhënia fiskale; Planifikimi dhe grumbullimi i të ardhurave nga burimet vetanake; Aksesi në financimin e jashtëm dhe Një mjedis i hapur për përfshirjen e sektorit privat.