Kryeparlamentari Talat Xhaferi nuk ndjen përgjegjësi që të kërkojë falje ndaj shërbimeve të Kuvendit, që në audio inçizimin e publikuar, dëgjohet se si ai I ka sharë dhe ofenduar. Pa ndonjë sqarim konkret se ndaj kujt dhe përse ka sharë, kryeparlamentari Talat Xhaferi thekson se ajo sjellje ka ardhur si pasojë e papërgjegjësisë, raporton KlanMacedonia. Ai nuk mendon se e ka shkelur kodin etik të sjelljes, dhe në pyetjen e gazetarëve çfarë do të bënte nëse hipotetikisht një gazetar I drejtohej atij me sharje dhe ofendim Xhaferi u përgjigj shkurt, “Nëse vjen situata që të më shani, më shani”.
“Duke bërë obligimet e tilla nuk mendoj se e kam shkelur kodin etik. Unë nuk kam sqarim për të, unë si kryeparlamentar duhet ta ndjeki punën time. Duhet të krijoj kushte dhe parakushte për punë dhe nëse dikush prej shërbimeve dëshiron që orarin e punës ta kalojnë tek rruga “Maqedonia”, supozoj se qytetarët nuk dëshirojnë shërbime të tilla. Shërbimet e Kuvendit marrin 20 përqind më shumë pagë se cilido koleg i veti nëpër institucione tjera, nëse dikush mendon se shërbimet do t’i lë që orarin e punës ta kalojë tek rruga Maqedonia, nuk do ta lejoj..” – deklaroi Talat Xhaferi.
Me një sjellje autoritare u zhvillua edhe brifingu me gazetarët, Xhaferi nuk lejoi që për gazetarët të prononcohet sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Cvetanka Ivanova, dhe në pyetjen e gazetarëve nëse me këtë sjellje nënkupton se Kuvendi është shndërruar në një pronë private, Xhaferi nënvizoi se brifingun e ka organizuar ai.
Sa i përket kërkesës për dorëheqje të kryeparlamentarit që vjen nga VMRO-DPMNE-ja, Xhaferi theksoi se ata nuk kanë me çfarë të merren dhe po merren me të.
Në ndërkohë me një transparent ku shkruhen fjalët që janë dëgjuar në audio-inçizim, dhe moton “Arroganca dhe çmenduria nuk kanë nacionalitet por emër dhe mbiemër ”grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së edhe sot ka kërkuar dorëheqjen e Talat Xhaferit.
“Kaluan më shumë se 10 ditë, ndërsa kryeparlamentari Talat Xhaferi, jo vetëm që nuk kërkoi falje për sjelljen e tij të paturpshme ndaj të punësuarve në Kuvend, por sillet sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Është skajshmërisht e palejueshme nga njeriu i parë i cili e ka nënshkruar Kodin Etik të sjelljes në Kuvend ta shkel në mënyrën më të ashpër dhe të ikë nga përgjegjësia. Më e pakta që mund të bënte Xhaferi, është të kërkonte falje për këtë sjellje dhe të jep dorëheqje nga funksioni Kryetar I Kuvendit.” – tha Dafina Stojanovska, VMRO-DPMNE.
Më 12 maj, pas përfundimit të seancës së 71, në opinion doli një audio inçizim I kryeparlamentarit Talat Xhaferi duke sharë dhe ofenduar shërbimet e Kuvendit. Mikrofoni i Xhaferit duhej të ishte i fikur, dhe nëse ai ishte lënë hapur me qëllim ose jo, xhaferi tha se një gjë të tillë nuk do ta hulumtojë. /KlanMacedonia/