LajmeMaqedoni

Vazhdojnë bisedimet me Bullgarinë për energjinë elektrike, ka optimizëm se do të arrihet marrëveshje

Shkup, 20 shtator – Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sot së bashku me drejtorin e EMV-së, Vasko Kovaçevski dhe me drejtorin e RNE-së, Bajram Rexhepi do të qëndrojë për vizitë në Turqi, ku siç paralajmëroi fokusi do të jetë energjetika.

“Do të bisedohet kryesisht për sektorin e energjetikës. Nëse do të ketë diçka konkrete, do të informojmë pasi që të kthehemi”, deklaroi dje ministri Bekteshi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas takimit me kreun e Bashkësisë fetare islame.

Bisedimet për çmimin e furnizimit të energjisë elektrike nga Bullgaria nuk kanë mbaruar. Nesër do të kemi një tjetër takim onlajn me homologun tim bullgar, por është shumë e rëndësishme të kontribuojmë në zgjidhjen e situatave të tilla në frymën e fqinjësisë së mirë dhe thellimit të bashkëpunimit midis fqinjëve, tha sot ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, pasi dje Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) njoftoi se Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nuk arritën një marrëveshje për çmimin e energjisë elektrike që prodhuesit bullgarë duhet ta eksportojnë në vend.

“Në bisedat që kam pasur me kryeministrin Kovaçevski, me presidentin Radev, me kryeministrin Donev dhe me homologun tim Hristov, shoh vullnet të mirë që të kemi një marrëveshje nga e cila do të përfitojnë të dyja vendet. Këtu bëhet fjalë për çështje teknike, po flasim për ballafaqim të përbashkët të krizës energjetike, veçanërisht në pjesën e sezonit të ngrohjes dhe politikbërja është lënë anash”, tha Bekteshi, duke shprehur besimin se do të arrihet një marrëveshje me Bullgarinë.

Ai tha se dje në media dolën disa tituj lidhur me këtë çështje, të cilat sipas tij janë të pavërteta.

“Maqedonia e Veriut dhe unë, si negociator, dhe të tjerët, natyrisht, nuk kemi kërkuar kurrë të paguajmë energjinë elektrike me çmimin e bursës për shkak të asaj që kemi tani. Tashmë kemi një marrëveshje me Greqinë, me Bullgarinë, me Serbinë dhe me Kosovën që nuk do të ketë ndalesë në hapësirën e kapaciteteve kufitare, që do të thotë se bursat janë të hapura, dhe spekulime të tilla për faktin se do të ketë një ulje prej 15, 20, 30 për qind e çmimit të bursës janë të pavërteta. Kam folur me Odën Ekonomike, ne i dimë pritshmëritë e tyre dhe negociatat i bëjmë sipas pritshmërive të kompanive që janë në tregun e lirë, si në sasi ashtu edhe në çmim. Sa i përket asaj se çka është problemi dhe pse deri tani nuk kemi marrëveshje me Bullgarinë, tashmë janë paralajmëruar disa masa nga Komisioni Evropian, të cilat duhet të zbatohen nga Bullgaria si anëtare e BE-së. Presim që masat të harmonizohen plotësisht me Komisionin Evropian, në mënyrë që marrëveshja jonë e mundshme të mos bie ndesh me masa të tilla”, tha Bekteshi.

Ai i tha opozitës që të mos luajë me shifra sepse, siç theksoi, po negociojnë shtet me shtet, për të mos ndërhyrë në negociata për faktin se Komisioni Evropian tashmë ka paralajmëruar se mund të ketë ngrirje të çmimit të rrymës prej 180 euro dhe ata dalin me shifra prej 400 euro.

“Kush do të nënshkruante një marrëveshje nga ana e Qeverisë kur vetë Komisioni Evropian mund të marrë vendim për ngrirjen e çmimit të energjisë elektrike nga 180 euro. Jo për të krijuar panik në shoqëri, as për të dhënë informacione të gabuara. Çmimet që kërkojmë dhe ato që i janë komunikuar publikut janë shumë më të ulëta. Nëse vendoset që të mos ketë çmim më të lartë se 180 euro në periudhën e ardhshme në sektorin e energjisë elektrike brenda BE-së, si mund të jetë çmimi 400 euro për të cilin mund të negociojmë. Është përtej logjikës. Ka pasur njoftime të tilla javën e kaluar, ka pasur propozime të tilla nga Von der Lajen dhe sigurisht që ne po i ndjekim ato zhvillime dhe do të jemi pjesë e atyre masave që do të marrë Komisioni Evropian. Është shumë e rëndësishme të theksohet, dhe përveç kësaj, ne i dimë pritshmëritë e ekonomisë sonë, e cila është në treg të lirë”, tha Bekteshi.

Nuk kemi paralajmërim për ndalesë të qarkullimit të gazit natyror. Tregtarët rregullisht i furnizojnë kapacitetet industriale me gaz, deklaroi sot ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

“Nuk kam informata se është ndalur gazi për Maqedoninë e Veriut. Kemi tregtarë të cilët rregullisht i furnizojnë kapacitetet industriale dhe konsumatorët e tjerë me gaz. Nuk kemi kurfarë paralajmërimi për ndalesë të qarkullimit të gazit natyror nga interkonektori që e kemi me Republikën e Bullgarisë”, tha Bekteshi në konferencën për shtyp pas takimit të djeshëm me kreun e Bashkësisë fetare islame.

Lidhur me atë nëse do të ndodhë marrëveshja me “Makpetrolin” për furnizim të gazit natyror, Bekteshi tha se për atë duhet të vendosë EMV-ja.

“Nëse EMV ka interes në pjesën e çmimit, përse të mos ndodhë marrëveshja me Makpetrolin apo me furnizues të tjerë të gazit. Nëse çmimet janë shumë të larta, EMV ka obligim të gjejë çmim sa më të volitshëm i cili nuk do të ndikojë ndaj çmimeve të konsumatorëve”, tha Bekteshi.

Mbështetje për kursimin e energjisë elektrike nga bashkësitë fetare

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka kërkuar dje mbështetjen e kreut të Bashkësisë Fetare Islame (BFI), reis Shaqir Fetahu, për respektimin e masave të kursimit të energjisë elektrike nga ana e BFI-së dhe besimtarët e tij. Ai njoftoi se do të bisedojë edhe me Kishën Ortodokse Maqedonase për mbështetje në aktivitetet për përballimin e krizës energjetike. Qëllimi është të reduktohet konsumi dhe të lirohet më shumë energji elektrike për industrinë.

“Çdo mesazh që del nga BFI do të jetë një mbështetje e madhe dhe do të ndahet nëpër xhami për të gjithë besimtarët, qofshin shqiptarë, turq… Është shumë e rëndësishme sepse çdo kursim ndihmon buxhetin e familjes, si dhe i ndihmon institucionet edhe në uljen e kostove, por edhe në nevojat për konsum për faktin se kemi konsum të caktuar që është në tregun e rregulluar dhe tjetrin në tregun e lirë, për të liruar sasitë që mund të përdoret për të ndihmuar industrinë që krijon vende pune dhe në mënyrë që të mos shkurtohen të ardhurat në familjet tona, tha Bekteshi.

Show More

Related Articles

Back to top button