Sot është finalja e Ligës së Konferencës. Në orën 21:00 Roma-Feyenoord do të përballen në stadiumin ‘Air Albania’ në Tiranë.
Ndërkohë mbrëmjen e djeshme mes tifozëve të skuadrave dhe policisë janë regjistruar skena të dhunshme në kryeqytet. Si pasojë e kësaj ngjarje kanë mbetur të plagosur edhe shumë efektivë.
Policia e Shtetit ka reaguar sot pas trazirave të shkaktuara në orët e fundit në Tiranë. Zv. Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Albert Dërvishi, tha se tifozët e të dyja skuadrave finaliste, fillimisht kanë tentuar të konfliktohen së bashku, ndërsa tha se kanë mbetur të plagosur 19 persona, njëri prej tyre e qëlluan me thikë.
“Sikurse kemi bërë me dije këto ditë, në disa dalje publike, sa i përket sigurisë Policia ka marrë masat për mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje. Duke filluar nga pikat e kalimit kufitar dhe për garantimin e rendit publik në qytet, që nuk kanë lidhje me këtë aktivitet sportiv”, ka thënë ai.
Gjatë mbrëmjes së djeshme një grup tifozësh, kanë lëvizur drejt stadiumit Air Albania për të tentuar një konlikt me tifozët kundërshtarë. Policia ka tentuar të ndalojnë një grup të tifozëve holandezë, por ata kanë goditur policët me gurë, shishe qelqi dhe sende të forta”.
“Në afërsi të Fakultetit të Inxhinierisë ka pasur sërish përplasje. Si pasojë e dhunës së ushtruar, janë plagosur 19 punonjës policie, njëri prej të cilëve është plagosur me thikë. Janë dëmtuar 4 automjete policie. Për sa më sipër në qendrat spitalore janë dërguar për ndihmë mjekësore 10 shtetas, 5 shqiptarë, 3 italianë dhe 2 holandezë.
“Shërbimet e Policisë së Shtetit, bazhuar në procedurat standarde të punës, i kanë bërë thirrje tifozëve për të ndërprerë përdorimin e dhunës. Në raport me sjelljen e kundërveprimin e tifozëve, është ndërhyrë në mënyrë të përshkallëzuar duke bërë të mundur shpërndarjen e tyre. Janë shoqëruar 60 tifozë problematikë nga të dyja skuadrat, 48 italianë dhe 12 holandezë. I janë sekuestruar leva, gurë, thika, lëndë piroteknik, ndCrsa janë deportuar edhe 80 huliganë italianë”, ka shtuar më tej Dërvishi.