LajmeMaqedoni

Strehimorja për qentë endacak, në Vrapçisht

Qendra rajonale për trajtimin e qenve endacak do të ndërtohet në territorin e komunës së Vrapçishtit. Pas dështimit që e njëjta të ndërtohet në atarin e komunës së Bërvenicës, tashmë komuna e Vrapçishtit ka gjetur lokacion ku do të jetë qendra rajonale. Kjo është bërë e ditur nga kryetari I Qendrës së Rajonit Planor të Pollogut, Bilall Kasami. “Projekti për qentë endacak përfundimisht duke ju falënderuar kryetarit të Komunës së Vrapçishtit, i cili siguroi lokacion për projektin në fjalë, dhe besoj se më tutje procedura do të përshpejtohet për të pasur zgjidhje rajonale për këtë çështje”, tha Kasami.

Ai u shpreh se fillimisht do të kërkojnë mbështetje nga donatorë të jashtëm për këtë investim, respektivisht në kuadër të investimeve që ishin planifikuar të bëhen në strehimoren në Bërvenicë. “Ju e dini se më herët kemi pasur një projekt si donacion nga jashtë për të ndërtuar një qendër rajonale, ku kishim edhe një vendim që Qendra rajonale për strehimin e qenve endacak të ndërtohet në Komunën e Bërvenicës, por me ndryshimin e pushtetit lokal, ndodhi edhe ndryshimi i vendimit dhe nuk u pranua që në atë territor të ketë një strehimore. Tash kemi gjetur lokacion dhe do të vazhdojmë bisedimet me donatorët e mëparshëm, që këtë projekt ta realizojmë me fonde ndërkombëtare. Nuk është biseduar mundësia që komunat të jenë donatorë, sepse fillimisht do të shohim a do të kemi mbështetje nga donator të jashtëm”, deklaroi Kasami.

Ai tha se bëhet fjalë për një projekt serioz dhe që ka kosto të lartë të investimit, por nëse dështon mënyra e financimit me fonde ndërkombëtare, atëherë do të shqyrtohet mundësia që komunat vet të financojnë projektin për ndërtimin e strehimores për qentë endacak. Aktualisht, Komuna e Tetovës ka nënshkruar një kontratë me një shoqatë, e cila merret me problemin e qenve endacak. Poashtu edhe Komuna e Gostivarit është angazhuar në këtë drejtim, sepse ka strehimore për qentë endacak. Komunat tjera ende nuk kanë bërë asnjë hap në drejtim të zgjidhjes së problemit të qenve endacak.

Në ndërkohë, gjatë mbledhjes së fundit të Qendrës së Pollogut, ku bëjnë pjesë nëntë komuna, kryetarët sërish kanë hapur temën e zgjatjes së pushimit dimëror. Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, me këtë rast vazhdon të insistojë që pushimi dimëror të zgjat dy muaj. Krahas mbështetjes që ka marrë nga disa kryetarë të komunave, përgjigje ende nuk ka nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës lidhur me këtë propozim. Kërkesë zyrtare, Ministrisë do ti dërgohet edhe në emër të komunave të Pollogut. Ndërkaq, Taravari është shprehur se tashmë janë marrë masa në nivel të komunës për kursim të energjisë elektrike. (koha.mk)

Show More

Related Articles

Back to top button