Shkup, 21 shtator — Në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot realizoi takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Qipros, Janis Kasulides, me ç’rast u shkëmbyen mendime për marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale mes dy vendeve.
“U diskutua edhe për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit, pas shumë vitesh shkëmbimi modest tregtar, për çka ka gatishmëri dhe interes të shprehur qartë.
Lidhur me integrimet euroatlantike, duke shprehur kënaqësinë e tij për mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, ministri Kasulidis rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Qipros për politikën e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe siguroi se Qiproja do të mbetet promotor i fuqishëm i integrimit të mëtejshëm dhe vazhdimit të negociatave formale për anëtarësim në BE”, kumtoi Ministria e Punëve të Jashtme.
Dy ministrat diskutuan gjithashtu për pasojat energjetike dhe më të gjera ekonomike në kontinentin evropian, si reflektim i luftës në Ukrainë.