LajmeMaqedoni

Nuk ka shenja pozitive për heqjen e vetos! Qershori po afrohet, ndërsa vendi ende i bllokuar për procesin integrues

“Nëse asgjë nuk ndodh tani, kuptohet se do të ngelemi të përkushtuar në reformat evropiane”.

A është kjo deklaratë e Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani paralajmërim se deri në qershor nuk do të zgjidhet kontesti me Sofjen, e si pasojë edhe kësaj here do të ketë “karton të kuq bullgar” për hapjen e bisedimeve eurointegruese. Para gazetarëve shefi i diplomacisë tha se kjo çështje nuk varet nga vlerësimi i tij.

“Para dy ditëve kishim takim edhe në Romë. Nga atje kryeministrat i inkurajuan ministrat e jashtëm që të vazhdojnë me dialogun dhe bisedimet për gjetje të një zgjidhjeje të përbashkët. Kështu që drejtim të këtij inkurajimi ne vazhdojmë më tej por, për momentin nuk ka diçka të re për momentin nuk ka diçka të re që do të mund ta ndaja me ju, që është e ndryshme nga ajo që deri tani e fola”, tha Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.

Në këtë drejtim, Osmani shtoi se nuk dëshiron të komentojë punët e brendshme të Bullgarisë.

“Me të vërtetë nuk mund të komentoj dinamikat e brendshme të Republikës së Bullgarisë, kjo është një çështje e tyre. Për ne është e rëndësishme që ne kemi qëndrim sa i përket atyre çështjeve dhe vazhdojmë t’i komunikojmë dhe shpresoj që kjo do të jetë e frytshme”, theksoi Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.

Ndryshe, në samitin e qershorit do të duhet të vendoset për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, ndërsa pa heqjen e vetos së vendosur nga ana e Bullgarisë një gjë e tillë nuk do të mund të ndodhë./TV21

Show More

Related Articles

Back to top button