Sport

Zvicra ndalon ‘shqiponjat’ e Xhakës dhe Shaqirit në Botëror

Shqiponjat e famshme të Granit Xhakës e Xherdan Shaqirit kundër Serbisë, nuk do të lejohen të përdoren në Botërorin 2022 në Katar, raporton arbresh.info.

Meqenëse Zvicra sërish do të jetë në grup me Serbinë, njëjtë si në botërorin e kaluar të vitit 2018, drejtori i Përfaqësueses së Zvicrës, Pierluigi Tami, ka dalë me një deklaratë ku ka thënë se ata do të respektojnë kundërshtarët dhe nuk lejojnë provokime me shqiponjë ndaj Serbisë, marrë parasysh cfarë ndodhi para katër viteve.

“Kupa e Botës nuk është vetëm ndeshja ndaj Serbisë edhe pse e dimë se sa e veçantë është kjo ndeshje duke pasur parasysh se çfarë ndodhi në vitin 2018. Nuk duam ta bëjmë gabimin e njëjtë, jemi këtu të luajmë futboll dhe asgjë tjetër. Nuk duam të dërgojmë mesazhe politike. Do të respektojmë vlerat tona dhe njëra ndër to është respekti. Për mua është gabim nëse provokojmë dikë me ndonjë gjest”, ka thënë drejtori Tami.

Zvicra dhe Serbia përsëri janë në një grup me njëra-tjetrën në Kupën e Botës që do të fillojë në nëntor.

Ndeshja mes tyre do të zhvillohet më 2 dhjetor në kryeqytetin e Katarit, Doha./arbresh.info

Show More

Related Articles

Back to top button