LajmeMaqedoni

Osmani: Nevojitet bashkëpunim më i madh ndërkombëtar për mbrojtje nga sulmet kibernetike

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në margjinat e Seancës së 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, mori pjesë në takim me temë: “Formësimi i sigurisë kibernetike globale –Thirrje për aksion për promovimin e sjelljes së përgjegjshme të shtetit dhe ndërtimin e sapaciteteve“, nikoqir të së cilit ishin Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analena Berbok dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Francës, Katerin Kolona, njoftojnë nga MPJ.

Në fokus të diskutimeve, theksojnë nga MPJ, ishin sfidat e sigurisë në hapësirën kibernetike si kërcënim serioz për rendin ekzistues ndërkombëtar. Njëherazi, u theksua nevoja për Marrëveshje efektiv multilaterale dhe shkëmbim strategjik të informacioneve dhe përvojave, veçanërisht midis aleatëve të NATO-s, me qëllim ballafaqimin dhe tejkalimin e suksesshëm të kërcënimeve kibernetike që po bëhen gjithnjë e më të shumta, më të larmishme dhe më të sofistikuara.

Në fjalimin e tij, Ministri Osmani iu referua sfidave në hapësirën kibernetike me të cilat ballafaqohet Maqedonia e Veriut, duke theksuar se sulmet kibernetike janë karakteristikë edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, trend ky që veçanërisht u intensifikua pas fillimit të invazionit ushtarak rus në Ukrainë.

“Strategjia nacionale për siguri kibernetike është një nga shtyllat e sistemit për forcimin e kapaciteteve për mbrojtje kibernetike, mbrojtje të infrastrukturës kritike të informacionit, ngritjen e vetëdijes për sigurinë e informacionit dhe kulturën e sigurisë së të gjithë vepruesve në hapësirën kibernetike. Maqedonia e Veriut në vazhdimësi bashkëpunon me të gjitha palët e interesuara, sektorin e biznesit, komunitetin hulumtues dhe akademik, si dhe me shoqërinë civile, për të gjetur zgjidhje të përbashkëta për këto sfida”, deklaroi Osmani.

Show More

Related Articles

Back to top button