Me ftesë të Çekisë e cila mban presidencën e Këshillit Evropian, kryeministri Rama dhe liderët e Ballkanit Perëndimor pritet të diskutojnë në 6 tetor për bashkësinë politike evropiane të propozuar më herët nga presidenti francez.
Disa muaj pasi u përmend si ide nga presidenti i Francës Emanuel Macron në Pragë, është thirrur një takim i liderëve të vendeve që pritet të bëhen pjesë e të ashtuquajturës Bashkësia Politike Evropiane.
Qëllimi i bashkësisë është krijimi i një formati ku do të bashkëveprojnë të gjitha vendet e kontinentit që duan të ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta, jo vetëm ato që janë anëtare të BE-së.
Megjithatë nuk ka një afat se kur do të formohet platforma.
Këshilli Evropian ka konfirmuar se tashmë janë dërguar ftesat për pjesëmarrësit në samitin e Pragës, që do të zhvillohet më 6 tetor.
Në samit janë ftuar të gjithë liderët e BE-së dhe udhëheqësit e shteteve të kontinentit evropian, me përjashtim të Rusisë dhe Bjellorusisë për shkak të luftës në Ukrainë.
Ftesat janë dërguar nga kryeministri i Çekisë, Petër Fiala, vendi i të cilit aktualisht ka kryesimin e BE-së, dhe nga presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel.
Megjithatë siç pohojnë disa zyrtarë në Bruksel, ka pasur dilema nëse ftesa duhej t’u dërgohej të gjitha vendeve që ndajnë të njëjtat vlera të demokracisë dhe lirive themelore.
Në këtë mund të vihej në dyshim prania e shteteve që kanë probleme me lirinë e medieve apo që nuk kanë mbështetur sanksionet e BE-së kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës si Serbia apo Turqia.
Bashkësia evropiane nuk është alternativë e BE-së por do të shërbejë për bashkëkoordinim politik nga udhëheqësit e Evropës për harmonizim të politikave.