LajmeRajon

Prokuroria liron të dyshuarin që ia çau kokën 9-vjeçarit në Suharekë

Ngjarja e rëndë që ndodhi në familjen Shehu në Suharekë, pasi djali 9-vjeçar dyshohet se u godit qëllimisht nga një automekanik, i rëndoi ata edhe më shumë me lirimin e të dyshuarit. Skender Bugari, 26-vjeçari i arrestuar për këtë rast është liruar me vendim të Prokurorit të Shtetit. Ai po dyshohet se ia çau kokën fëmijës që tash po trajtohet në QKUK, por në këtë rast dora e Prokurorisë ka qenë e butë dhe i njëjti është lënë i lirë.

Lajmin për lirimin e tij e kanë konfirmuar edhe nga Policia rajonale në Prizren, ndërkohë që Prokuroria ende nuk ka kthyer përgjigje.

Bugari, që po dyshohet për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” do të hetohet në procedurë të rregullt për këtë rast, me vendim të Prokurorit të Shtetit.

Nga praktika për lëndime të rënda, në raste tejet të rralla ka ndodhur që Prokurori të mos bëjë kërkesë për masë sigurie.

Ky rast ka tronditur jashtëzakonisht shumë familjen Shehu. Babai i fëmijës, në një rrëfim të dhimbshëm për Sinjalin ka treguar se djali i tij ka pësuar frakturë në kafkë, si pasojë e goditjes me çelës të punës nga automekaniku Bugari.

Vendimin për ta liruar, Hisen Shehu e sheh si skandaloz, pasi sipas tij kjo është bërë vetëm pse i përkasin komunitetit ashkali.

“Qëllimisht ka ndodhë, unë 99.9 për qind jam i sigurt që qëllimisht i ka ra, se fëmijës nuk i mëshohet e me ia qitë trutë jashtë. Ai trunin jashtë ia ka qitë. Qetash djali i ka mbush 9-vjeç, ai i ka 26-vjeç. Ai është drogirash, ai i ka ra me mbytë krejtë. Ai ia ka hek copë. Ne kurrë nuk kemi pasë probleme me të, por vetëm pse është ashkali i ka ra. Pse nuk i ka ra fmijes të vet ose fmijes të shqiptarit, po i ka ra fëmijës tem 9-vjeç”, tha babai i të miturit për Sinjalin.

Ai tutje ka treguar se ka biseduar me të dyshuarin përmes telefonit, i cili i ka thënë se ia ka goditur djalin nga pakujdesia, gjë që Shehu nuk e beson.

“Më ka thirrë mbramë në telefon më ka thanë që unë t’i kom ra djalit, po pahiri. I thashë pse s’i ke ra shuplakë, po i ke ra ia ke qitë trunin jashtë. Edhe ia ka hup vetëdijen, e ka rrëzu, pa vetëdije u kanë djali. E kanë marrë Policia e kanë kapë e kanë çu në Emergjencë në Suharekë. Suhareka e ka çu në Prizren, Prizreni e ka çu në Prishtinë. Ka mujtë me ia dhanë nji shuplakë nëse e ka sha”, tha Shehu.

Gjendja shëndetësore e fëmijës sipas prindit është e rëndë, pasi që sipas asaj që thonë mjekët, ai ka mundësi të humb memorien. Por pavarësisht kësaj, djali ka qenë në gjendje që të flasë dhe të tregojë atë se çka ka ndodhur.

“E kemi fëmijën në spital në Prishtinë. Gjendja e djalit nuk është e mirë, ka mundësi që e humb memorien, mjektë s’po e lajnë me flejtë se e ka prekë në tru. Djali po tregon krejt, po thotë që ka ndodh qëllimisht. Ka marrë trauma, çdo pesë sekonda, dhjetë sekonda në hava po më kcen djali. Doktori më ka thanë që ka mundësi me hup vetëdijen. Kur i ka ra kockën ia ka thy edhe krejt krytë e ka të krisun. Kocka i ka hi mrena në tru. Ma mirë t’ma kish mytë, se që ma ka ba qëta, ma ka lanë gjallë e për gazepi fëmijën. Ai është fmija jem. Ma ka djeg zemrën”, shtoi tutje Shehu.

Show More

Related Articles

Back to top button