LajmeRajon

Shkeljet e rënda procedurale në rastin Dehari, pezullohet nga puna kryeinspektori Ylber Topalli

Ministria e Drejtësisë ka marrë vendim për pezullim nga puna të kryeinspektorit të Inspektoratit të kësaj ministrie, Ylber Topalli.

Topalli është pezulluar nga puna për pretendimet e shkeljeve të rënda procedurale që janë të ndërlidhura me rastin e Astrit Deharit.

Lajmin e ka bërë të ditur Flamur Pireva, këshilltar i ministres Albulena Haxhiu.

“Mbi bazën e gjetjeve në Raportin e Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, sot Komisioni Disiplinor ka marrë vendim për pezullimin nga puna të Kryeinspektorit të Inspektoratit, z. Ylber Topalli. Procedura disiplinore ndaj z. Topalli është iniciuar për pretendimet e shkeljeve të rënda procedurale që janë të ndërlidhura me rastin e ngjarjes së Astrit Dehari, që kishte ndërruar jetë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor 2016”, ka shkruar Pireva.

Me këtë rast, pas konstatimit të gjetjeve të Raportit të cilat i kanë proceduar edhe në Prokurori të Shtetit, Prieva ka bërë thirrje dhe ka theksuar nevojën e vazhdimit të procedurave hetimore për trajtimin e mëtutjeshëm të të gjitha rrethanave deri në zbardhjen përfundimtare të këtij rasti.

Ditë më parë lidhur me rastin e Astrit Deharit, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka pezulluar nga puna edhe dy zyrtarë të lartë.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin se ka pezulluar nga puna, z. Burim Buleshkaj, ish UD. Drejtor i Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK, aktualisht Udhëheqës për Administratë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, si dhe z. Destan Zogaj, Zyrtar Korrektues, ish UD-Drejtor në Qendrën e Paraburgimit Prizren. “Ndaj tyre është iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë lidhur me veprimet, mosveprimet në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016”, thuhej në komunikatë.

Kujtojmë se ministrja Albulena Haxhiu, në një konferencë për media në fillim të këtij muaji kishte prezantuar të gjeturat e raportit të Inspektoratit të MD-së lidhur me rastin e vdekjes së Astrit Deharit, ish-aktivistit të LVV-së i cili kishte ndërruar jetë më 5 nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Haxhiu ka thënë se të gjeturat e raportit jepin dyshime se rasti ka pasur tendenca të manipulohet.

“Raporti adreson këto shkelje: Marrja dhe posedimi i incizimit të kamerave me aprovim të ish-drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj te zyrtarët Ylber Topalli, Burim Buleshkaj dhe anëtarë nga Komisioni i SHKK-së, përbën shkelje të legjislacionit penal dhe legjislacionin përkatës për mbrojtjen e të dhënave.

Incizimet e kamerave të sigurisë nga kryeinspektori i MD-së dhe zyrtarët e SHKK janë marrë para se ato ti merrte polica, pra nga data 5 kur ka ndodhur rasti dhe data 6,7 nëntor 2016. Është e çuditshme që zyrtarët e SHKK dhe kryeinspektori i MD-së kanë marrë incizimet e kamerave para policisë. Sipas legjislacionit në fuqi në rast të ndonjë veprimi me natyrës penale autoriteti kompetent për marrjen e incizimeve është policia”, kishte thënë Haxhiu. /Telegrafi/

Show More

Related Articles

Back to top button