Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot ka publikuar kontratën e parë, ku 4,646 metra katrorë në mes të Tiranës i kanë kaluar shtetit.
Megjithatë ai nuk ka lënë pa akuzuar as median e as opozitën që sipas tij nuk kanë lënë akuzë pa bërë nuk i pa këto kate pa leje në mes të Tiranës.
“Askush, as opozitat që nuk lënë akuzë pa bërë, as mediat që nuk lënë gjë pa thënë, as drejtësia jo e jo, që nuk lë avlli apo papafingo nëpër periferi pa ndëshkuar, nuk i pa, nuk i tha, nuk i dëgjoi, nuk i kërkoi katet dhe metrat e ndërtuara pa leje për qëllim fitimi deri dhe në mes të Tiranës. Sepse të tërë, ose e kanë të ngjyer gishtin, kush më shumë e kush më pak, kush direkt e kush indirekt, në mjaltin e tullave e të betonit, ose i kanë sytë kaq të verbuara e veshët kaq tapë nga urrejtja që i mbush gojën me shpifje, me gënjeshtra, me akuza që janë shumë të fortë me të dobëtit, por shumë të dobët me të fortit. Ja ku është edhe akti i parë i dorëzimit! 4646 metra katrorë pa leje në mes të Tiranës, i kalojnë shtetit me kontratë noteriale. E ky është vetëm akti i parë i marrjes për interes publik të pasurive në metra katrorë të paligjshme, që do të pasohet nga të tjerët deri në metrin e fundit katror. Prandaj, kush merret me mua e me ne duke na treguar si ata që fshihen pas kullave e pas pallateve, le ta shohë mirë të vërtetën ose le të vazhdojë të lehë, por unë i siguroj të gjithë ata që duan një Shqipëri të drejtë e që duan një Shqipëri ku ligji të jetë njësoj për të gjithë e të mos ketë të fortë para ligjit, se nuk do t’i tradhtoj kurrë!”, tha Rama./oranews