Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën është në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian më 13 tetor në Bruksel.
Ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, tha se ai pret që gjatë mandatit gjashtëmujor të Presidencës çeke të Bashkimit Evropian, do të finalizohet procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Nga Brukseli tashmë ka sinjale të mira për progres në çështjen e liberalizimit të vizave. Kjo çështoje diskutohet më 13 tetor në një takim të Këshillit Evropian.
“Liberalizimi i vizave është një proces që përbëhet nga çështjet teknike. Bashkimi Evropian do të rishikojë shumë shpejt aspektet teknike dhe unë shpresoj shumë që Presidenca çeke do të arrijë deri te një marrëveshje, dhe Kosova do të ketë liberalizim të vizave. Është shumë e vështirë të parashikojmë datën. Pritjet e mia për vendimin janë shumë të larta, dhe kjo është pjesë e agjendës sime politike”, tha shefi i diplomacisë Jan Lipavsky, i cili po qëndron për një vizitë në Kosovë, ku zhvillon bisedime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, u shpreh se megjithatë ka ende punë për t‘u bërë sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, por ky proces, sipas tij, është në rrugë të drejtë.
“Duhet të kuptojmë që duhet të bëhet ende punë, por ne jemi në rrugë të mirë dhe shpresojmë që të gjejmë përkrahje politike që procesi të përfundojë dhe janë disa takime teknike që shpresoj se do të ndikojnë në një vendim pozitiv për këtë. Presidenca çeke është duke punuar në atë drejtim dhe ne jemi duke e mbështetur plotësisht që kjo të narrihet”, tha ministri Lipavsky.
Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën tashmë konfirmohet se do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, më 13 tetor, që do të mbahet në Bruksel. Presidenca çeke e BE-së u ka dërguar letër vendeve anëtare si paralajmërim për diskutimet për këtë temë. Në letër presidenca çeke shprehet qartë, se dëshira e Çekisë është që të gjitha vendet anëtare të BE-së të arrijnë konsensus të brendshëm për të mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën. Në këtë letër, presidenca çeke argumenton se edhe Komisioni Evropian ka konfirmuar dhe pritet të përsërisë, se Kosova i ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave.
“Pasi Presidenca e Çekisë në BE mendon se arsyet e lidhura me politikën e jashtme për liberalizimin e vizave për Kosovën janë bindëse, ajo shpreson se të gjitha shtetet anëtare të BE-së do të arrijnë pajtim të brendshëm politik për këtë çështje”, thuhet në letrën e presidencës çeke.
Më 16 shtator Franca, Gjermania dhe Polonia të njohura si “Trikëndëshi i Vajmarit”, përmes një deklarate të përbashkët bënë thirrje për progres në procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën.
“Ne bëjmë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën. Vendet tona janë të përkushtuara fuqishëm ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratën e 16 shtatorit.
Hapat deri në liberalizimin e vizave
Në takimin e grupit punues për vizat në Këshill do të shqyrtohet raporti i përditësuar teknik nga Komisioni Evropian për përmbushjen e kushteve nga ana e Kosovës. Nëse ka pajtim mes vendeve anëtare të BE-së, atëherë ambasadorët e këtyre vendeve bartin përgjegjësinë që të japin dritën e gjelbër për nisjen e diskutimeve tripalëshe ndërmjet Parlamentit Evropian, Këshillit të BE-së dhe Komisionit Evropian.
Një draft-raport i parlamentit Evropian, për të cilin do të debatohet në tetor në Komisionin e Politikës së Jashtme, kërkohet që sa më shpejt të përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën. Po në tetor, Këshilli Evropian ka vendosur në agjendë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian tashmë disa herë e kanë konfirmuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret teknike për liberalizimin e vizave. nuk kanë asnjë rezervë për liberalizimin e vizave për Kosovën, kjo procedurë pritet të përmbyllet shpejt.
Kur në diskutimet tripalëshe Parlamentit Evropian, Këshilli të BE-së dhe Komisionit Evropian, të arrihet pajtimi, atëherë të njëjtin raport do ta konfirmojnë formalisht edhe ambasadorët e vendeve anëtare. Vendimi, më pas, votohet në komisionin përkatës të Parlamentit Evropian, e pastaj edhe në seancë plenare. Hapi i radhës është konfirmimi i vendimit edhe nga ministrat e vendeve anëtare në Këshill. Hapi i fundit, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së, me çka edhe caktohet data e hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.
Kosova është i vetmi vend në Evropë që ende nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë, ndonëse qysh prej pesë vjetësh Komisioni Evropan ka konfirmuar që Kosova i ka plotësuar të gjitha kriterët për liberalizim./DW