Ofrohen nga 100 deri në 200 leva (50 deri 100 euro) për një votë në zgjedhjet parlamentare në Bullgari të cilat do të mbahen të dielën, kumtoi Ministria e Punëve të Brendshme e Bullgarisë. Shumica e paraqitjeve janë për oferta nga GERB dhe DPS, njofton Portalb.mk.
Deri te Ministria e Brendshme ditët e kaluara kanë arritur 250 paraqitje për blerje të votave, a Prokuroria ka hedhur poshtë 180 kërkesa për hetim, transmeton Mediapool.bg.
Siç sqaroi sekretari kryesor i MPB-së, Petar Todorov, deri më tani përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare kryesisht janë kryer thuajse 100 operacione kundër tregtimit me vota dhe janë konstatuar mbi 550 vepra penale individuale.
Shpesh tregtimi me vota zhvillohet në hekurishte, në dyqane kredish dhe në objekte hotelierike, ndërkaq “lojtarët” kryesorë janë grupet kriminale të cilat janë të përfshira edhe në aktivitete tjera kriminale.
Sipas ministrit teknik për Punë të Brendshme, Ivan Demerxhiev, çmimet për vota ngadalë-ngadalë po rriten dhe tani jepen deri në 100 leva (50 euro) për njeri, por ka të dhëna se në disa vende shuma është dyfishuar dhe kjo ka të bëjë me pritjet për dalje të ulët të dielën.
Sipas anketës së “Galup”, të punuar për Radion Nacionale Bullgare, të dielën pritet të ketë dalje prej rreth 39% edhe pse është shumë rëndë që të prognozohet prej tani. Sipas anketës, përparësi për fitore në këto zgjedhe ka GERB.
Prej 1.0009 qytetarë të Bullgarisë, të anketuar fytyrë më fytyrë, në periudhën prej 20 deri më 27 shtator të këtij viti, shumica e tyre kanë vendosur për koalicionin GERB-SDSM, gjegjësisht 25,8%. Për PP-në kanë thënë se do të votojnë 16,6% e qytetarëve të anketuar, ndërkaq për vendin e tretë “luftojnë” DPS dhe Vërzrazhdane (partia proruse), me 13,2% dhe 12,8%. Partia Socialiste Bullgare, sipas anketës ka marrë 9,2%, ndërkaq “Bullgaria Demokratike” 7,8%.