Midis ndalesës për shkak të ndarjes nga jeta të Mbretëreshës Elizabeth II dhe kombëtareve, Premier League do të rikthehet më e zjarrtë se kurrë. Fillimisht të shtunën, prej orës 13:30 do të luhet derbi i Londrës së Veriut midis Arsenal dhe Tottenham. Për kryesuesit e Premier League do të jetë prova e dytë e vërtetë ku nuk i lejohet më hap fals pas disfatës kundër Manchester United. Ndërkohë, “Spurs” nga ana tjetër nuk njohin asnjë humbje në sezonin e ri në Premier League dhe sigurisht Antonio Conte do të kërkoj fitoren e rradhës për t’u ngjitur në krye të klasifikimit.
Përballja e fundit e dy skuadrave foli vetëm për Tottenham, pasi “Spurs” fituan me rezultatin e thellë 3-0 dhe siguruan një vend në Champions League duke lënë jashtë Arsenal.
Të dy skuadrat nuk do ta kenë grupin e plotë, ku mungesë e rëndësishme për “Topcinjtë” do të jetë vetëm Zinchenko, i cili nuk ishte i gatshëm edhe në sfidën e fundit me Brentford. Në kahun tjetër për Tottenham do të mungoj mbrojtësi Davies dhe mesfushori Kulusevski i cili ka pësuar një problem muskulor me Suedinë.
Në histori të përballjeve “Topcinjtë” kryesojnë me 79 fitore, kundër Tottenham me 61, ndërsa gjithsej janë 51 barazime. Derbi i Londrës së Veriut midis Arsenal dhe Tottenham do të jetë i 192 në histori dhe do të transmotehet live vetëm në platformën Digitalb në Super Sport.
Ndërkohë në Anfield do të zhvillohet një tjetër sfidë e luftuar, midis Liverpool dhe surprizës Brighton. Jurgen Kloop do të kërkoj rikthim te fitorja pas barazimit të fundit në derbi kundër Everton, ndërsa në krahun tjetër do të jetë përballja e para për trajnerin e ri De Zerbi.
Prova e parë e vërtet në Premier League, do të jetë edhe për Graham Potter në krye të Chelseat, me “Blutë e Londrës” që do të nisin epokën e re pa Thomas Tuchel. Sipas raportimeve të mediave angleze kjo pritet të jetë dhe sfida e parë si titullar e sulmuesit të kombëtares shqiptare, Armando Broja.
Një tjetër sfidë interesante që do të zhvillohet në orën 16:00 është edhe ajo midis Bournemouth dhe Brentford. Pas disfatës turpëruese ku Liverpool triumfoi 9-0, në drejtimin e trajnerit të ri Bournemouth nuk njeh humbje në Premier League, pasi në tre javët e fundit, ia ka dalë të marrë dy barazime dhe të fitojë në transfertën e vështirë përballë Nottingham Forest. Sigurisht edhe përballë Brenftord, Bournemouth do të kërkoj një tjetër rezultat pozitiv.
Fulham – Newcastle do të jetë sfidë e mungesave të rëndësishme pasi për të dy skuadrat do të mungojnë goleadorët kryesor. Për Fulham nuk do të jetë i gatshëm Aleksandar Mitrovic, i cili deri më tani ka shënuar gjashtë gola. Ndërsa Newcastle, United do të duhet të bëjë pa lojtarin më të shtrenjtë në merkaton verore, Alexander Isak, me suedezin që në tre javët e fundit në Premier League ka shënuar kundër Liverpool dhe Bournemouth.
Live në SuperSport prej orës 18:30 do të transmetohet edhe West Ham – Wolves, ku sfida do të jetë vendimtare për trajnerin e “Çekanëve” David Moyes, i cili në rast se nuk rikthen ekipin te fitorja në Premier League, rrezikon seriozisht shkarkimin.