Prokuroria Themelore Publik e Shkupit ka dhënë urdhër për zbatimin e procedurës hetimore kundër shtatë personave, dy për të cilët ekziston dyshim i bazuar se si bashkëpunëtor kanë kryer vepër penale – Mashtrim në shërbim nga neni 355 i Kodit Penal, derisa të tjerët dyshohen për ndihmë gjatë kryerjes së veprës, njofton Portalb.mk.
Prokuroria duke vlerësuar se ekziston rrezik për ndikim ndaj dëshmitarëve, ekspertëve, bashkëpunëtorëve, ka dorëzuar deri te gjykatësi paraprak propozim për shqiptimin e masës së paraburgimit për gjashtë persona, derisa për njërin është propozuar masë e kujdesit – ndalim të lëshimit të vendbanimit, obligim të paraqitet kohë pas kohe në Gjykatë dhe i është vendosur ndalesë për lëshimin e shtetit, por edhe ndalesë që të kontaktojë ose të mbajë lidhje me persona të caktuar.
Përndryshe, personat e akuzuar mes vete janë familjar, ndërkaq dy prej tyre kanë qenë drejtorë në EVN. Të njëjtit janë të afërt me partinë VMRO-DPMNE. Ata dje ndaluar në stacion policor pasi Drejtoria e Policisë Financiare ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup.
Akuza ndaj tyre ka të bëjë në lidhje me blerjen e një tokës në Dellçevë. Ata kanë arritur që ta bindin pronarin e tokës private në Dellçevë që t’i blihet prona për një shumë të caktuar, e cila vlerësohet të jetë rreth 35.000 euro, por të pajtohen që në dokumente të qëndrojë se e dhuron falas. Por, pronën “e dhuruar”, për disa ditë ia kanë shitur EVN-së për 1.6 milion euro. Pasi paraprakisht të akuzuarit kanë bërë analiza të rrejshme se gjoja investimi është i pagueshëm.
Hetimi pas paraqitjes së EVN-së kulmoi më 11 nëntor të vitit 2021, kur Kuvendi duhej të diskutonte për interpelancën e qeverisë së Zaevit dhe kur u zhduk deputeti i Besës, Kastriot Rexhepi, i cili ishte nënshkruesi kryesor i kërkesës për shkarkimin e qeverisë. Në atë mëngjes herët janë bërë bastisje në shtëpitë e babait të deputetit të VMRO-DPMNE Jaulesk dhe në shtëpinë e Igor Gievskit, të cilët ishin drejtorë në EVN.
Policia Financiare ka hetuar nëse paratë nga kjo marrëveshje kanë përfunduar në parti dhe për qëllime partiake, sepse të gjithë të dyshuarit kanë qenë të lidhur me VMRO-DPMNE-në. Por këto dyshime nuk janë konfirmuar.