Me miratimin e rekomandimeve të përbashkëta në Parlamentin Evropian në Strazburg ka përfunduar takimi i 20-të i Komitetit të përzier Parlamentar – RMV dhe BE. Ky Komitet u mbajt në kohën kur RMV-ja ka nis negociatat për anëtarësim në BE.
Përfaqësuesit e institucioneve evropiane, eurodeputetët dhe deputetët e RMV-së kanë insistuar më faktin se ka nis një fazë e re në raportet BE – RMV, kurse vendi duhet të përkushtohet ndaj reformave dhe se nevojitet konsensusi për proceset euroatlantike.
Zv. kryeministri për Çështje Evropiane dhe Kryenegociatori me BE-në, Bojan Mariçiq, në këtë takim, ka potencuar rëndësinë për kyçjen dhe bashkëpunimin me aktorë të ndryshëm politik, duke vënë theksin tek Parlamenti si institucion kyç për progresin e negociatave.
“Parlamenti është një partner i rëndësishëm për aderimin në BE dhe për këtë shkak roli i trupave të tij – Komisionit për Çështje Evropiane dhe Këshillit Kombëtar për eurointegrime do të definohen përmes Memorandumit për bashkëpunim. Duke marrë parasysh rëndësinë që të ketë konsensus kombëtar, do t`i bëjmë të gjitha përpjekjet që opozita të kyçet në këtë proces”, deklaroi Mariçiq.
Rekomandimet janë miratuar pasi Deputetët e RMV-së dhe Eurodeputetët në Sesionin e dytë të Komitetit të 20-të të Përzier Parlamentar BE – RMV, kanë këmbyer mendime për ambientin jetësor dhe energjetikën, marrëdhëniet ndërfqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal, raportin për Dialogun “Zhan Mone”, për sundimin e së drejtës, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për shoqërinë civile dhe mediat.