Shkup, 10 tetor – Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se aty ku ka paga shumë më të larta se mesatarja, ato duhet të zvogëlohen, si një nga mënyrat për uljen e shpenzimeve, në përputhje me planin për qëndrueshmëri fiskale që dje është miratuar nga Qeveria për shfrytëzuesit buxhetorë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Kovaçevski tha sot se qëllimi i grupit të masave fiskale është lirimi i burimeve financiare për një përballim më të mirë të krizës energjetike me uljen e shpenzimeve dhe rritjen e të hyrave, transmeton Zhurnal.
Me masat e miratuara dje për zbutjen e krizës energjetike dhe presioneve të çmimeve prej 350 milionë euro, pakoja e përgjithshme e masave kundër krizës arrin në 750 milionë euro, e cila, theksoi Kovaçevski, është ndihmë direkte financiare për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve, likuiditetin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe lehtësime tatimore që do të thotë të ardhura më të ulëta tatimore për shtetin.
“Nga ana tjetër, ka ndërmarrje dhe institucione në të cilat krijohen humbje dhe ato duhet të mbulohen nga Buxheti, prandaj ne besojmë se ekipet menaxhuese të atyre ndërmarrjeve duhet të jenë në nivel shumë të përgjegjshëm dhe të ulin shpenzimet dhe të rrisin të ardhurat. Një nga mënyrat për të ulur kostot, ku ka paga shumë mbi mesataren, mendoj se në kushtet e një krize të tillë duhet të ulen, ndërsa ku të ardhurat nuk korrespondojnë me atë që duhet të jenë, bëjnë përpjekje për të rritur të ardhurat”, tha Kovaçevski, pas vënies në funksion të termocentralit diellor të GENI-t.
Me Planin për Qëndrueshmërinë Fiskale dhe Mbështetjen e Rritjes Ekonomike ngarkohen të gjithë përfituesit buxhetorë dhe rekomandohet që njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe ndërmarrjet publike dhe shoqëritë tregtare shtetërore, brenda dy javësh të dorëzojnë planin e plotë të veprimit për konsolidimin. të shpenzimeve./Zhurnal.mk