GostivarLajme

Shkollat kërkojnë siguri më të madhe / Gostivarit i mungojnë policët

Shkollat e Gostivarit janë të sigurta, por sërish duhen patrullime më të shpeshta për të parandaluar zënkat apo devijime të tjera mes nxënësve sidomos në shkollat e mesme. Ky ishte konstatimi i përbashkët i policisë dhe pushtetit lokal të Gostivarit në debatin e përbashkët, të cilët theksuan se bashkëpunimi i deritanishëm mes tyre ka qenë i frytshëm, gjegjësisht ka rënë numri i incidenteve nëpër shkolla. Por, drejtorët e shkollave edhe pse nuk e mohojnë bashkëpunimin, theksojnë se jo gjithmonë ka uniforma blu afër objekteve shkollore dhe në disa raste për të laguar ato vetura që vazhdimisht rrotullohen rreth shkollave të cilat edhe pse janë të raportuar, askush nuk merr masa për ndalimin e tyre. Mirsad Useini, drejtori i gjimnazit të Gostivarit, pastaj e pyeti policinë se deri ku është konkursi i tyre për pranimin e policëve të rinjë.

“Deri ku është shpallja për pranim të policëve të rinjë pasi realitetin e dimë se si është në Gostivar. Kemi mungesë të policëve dhe jo se nuk kemi bashkëpunim dhe mund të falenderohem për bashkëpunimin me komandatin me të cilin në dy raste kemi parandaluar probleme mes nxënësve, ata erdhën shpejtë. Por kush erdhi? – Erdhën inspektorë që nuk është puna e tyre pasi ata kanë qenë më afër shkollës dhe ata janë urdhëruar të vijnë në bazë shoqërore. Neve na duhen policë që do qendrojnë gjatë ditës te rruga jonë te gjimnazi, por e dimë se ata mungonë”, deklaroi Mirsad Useini, drejtor i Gjimnazit të Gostivarit.

Branisllav Petreski, shef i parandalimit pranë SPB-Tetovë dhe Gazi Abdurahimi, komandat i Policisë së Gostivarit, theksuan se edhe përskaj mungesës së policëve, ata e kryejnë punën e tyre siç duhet dhe janë 24 orë në shërbim të shkollave.

“Procedura për nëpunësit e rinjë të policisë është në rrjedhë, akoma nuk ka mbaruar. Presim për rreth një muaj të jetë finalja ku është paraparë të pranohen 60 nëpunës policorë, pra flas për SPB-Tetovë. Numri i policëve me uniformë në Gostivar është ai që është dhe policia është gjithandej e pranishme, por kapaciteti ai është”, deklaroi Branisllav Petreski, shef i parandalimit pranë SPB-Tetovë.

“Janë përgatitur plane dhe çdo ditë në turne ka policë të pranishëm dhe prej te ne jepen detyra çdo mëngjes, në mënyrë të veçantë për shkollat dhe situata ndiqet vazhdimisht dhe kemi kontakte të përhershme me drejtorët dhe jemi në dispozicion të atyre 24 orë”, deklaroi Gazi Abdurahimi, komandat i Policisë së Gostivarit.

Edita Xhemaili, kryeshefe e Sektorit për Parandalim pranë SPB-Tetovë tha se policia ka plane mujore dhe vjetore për mbulim të shkollave. Shtoi se shkollat e Gostivarit sa i takon dhunës, janë më të qeta se ato në Tetovë. Falë këtyre projekteve, theksoi ajo, nga viti 2015 e këndej ka rënë dukshëm dhuna në baza ndëretnike.

“Ne si prevetivë kemi plane vjetore të përgatitura në interes të nxënësve që sa më shumë të njihen rreth parandalimit të dhunës të çdo lloji si për atë etnike ashtu edhe për atë mes bashkëmoshatarëve. Dihet se cilët projekte ne deri më tani i kemi kaluar dhe besoj se edhe në të ardhmen do t’u përmbahemi impelementimit të tyre. Tani që na ka filluar viti i ri shkollorë, do të fillojmë edhe projektin ‘Shkollë e sigurtë’”, deklaroi Edita Xhemaili, kryeshefe e Sektorit për parandalim pranë SPB-Tetovë.

Takimi i sotëm mes palëve ishte inicuar nga kryesefi i SPB-Tetovë, Amir Dalipi dhe shefi i policisë së Gostivarit, Basri Veseli. Mungesa e tyre në takim shpreh mosrespektim të institucionit komunë e Gostivarit, tha me këtë rast kryetari Taravari.

“Më vjen keq që dy shefat e policisë, Amiri dhe Basriu që e organizuan këtë takim nuk janë këtu. Me këtë ata nuk respektojnë Institucionin komunë. Paravrësisht kësaj ne do të vahdojmë të bashkëpunojmë pasi qëllim kemi që të gjitha proceset arsimore të rrjedhin siç duhet”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i Komunës së Gostivarit.

Aslian Snopçe, përgjegjës e Sektorit për Arsim pranë Komunës së Gostivarit, tha se ky takim duhej të merrej më seriozisht nga të gjitha palët, pasi flitet për sigurinë e nxënësve.

“Ky takim duhej të merrej më seriozisht dhe shefat e policisë të ishin këtu pasi ata ishin organizatorët. Sot flasim për sigurinë e shkollave tona dhe më i rëndësishëm se ky takim nuk di se çfarë mund të ketë. Gjithësesi, ne do vazhdojmë me bashkëpunimin i cili ka qenë shumë i mirë deri më tani dhe të fokusohemi aty ku në të ardhmen do kemi më shumë nevojë”, deklaroi Aslian Snopçe, përgjegjës e Sektorit për Arsim pranë Komunës së Gostivarit.

Ndryshe, nga fillimi i këtij viti shkollor në Gostivar ka pasur një incidentë të raportuar në një shkollë të mesme i cili kishte ndodhr mes nxënësve të kësaj shkolle.

Show More

Related Articles

Back to top button