Më 13 tetor në Këshillin Evropian do të nisë procedura e cila pritet të çojë në vendimin formal për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Çështja e lëvizjes së lirë për kosovarët do të jetë në rend dite në diskutimin e parë të grupit punues të Këshillit të BE-së. Në Kosovë presin që ky proces të ecë përpara me një dinamikë të shtuar dhe brenda një periudhe të shkurtë kohore qytetarët të lëvizin pa viza në zonën Shengen.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ditë më parë ka deklaruar se takimi i 13 tetorit nuk është hap përfundimtar për liberalizimin e vizave duke shtuar se janë pesë hapa që duhet ndjekur deri në finalizimin e këtij procesi.
E pritje që ky proces të përshpejtohet pas këtij takimi ka kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi.
“Unë pres që ky proces të dinamizohet pas 13(tetorit) me shpejtësi që përfundimisht në muaj në vazhdim të hiqet kjo barrierë e udhëtimeve por natyrisht që ka pasur edhe probleme për të cilat kam folur më herët, tanimë që liberalizmi i vizave për qytetarët e Kosovës të përfshihet si pjesë e çështjes së dialogut me Serbinë që është gabim jashtëzakonisht i madh që është bërë sidomos nga përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në dialog, zotëri Lajçak”, thotë Abazi.
Pengesa e vetme për zvarritjen e deritanishme të vendimit për liberalizim të vizave ka qenë Franca dhe Holanda, thotë profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Arben Fetoshi.
Sipas tij, futja në agjendën e 13 tetorit në Këshill tregon për zhbllokimin e këtij procesi dhe hapjen e rrugës për vendimmarrje formale.
“Me vet faktin që tashëm është përfshirë në agjendën e Këshillit, jam i bindur që mund të presim vendimmarrje sa i përket liberalizimit të vizave dhe definitivisht ky proces tashmë e konfirmon atë që e kemi thënë disa herë që liberalizimi i vizave është përdorur si instrument presioni mbi Kosovën për shkak të hezitimit të Francës dhe disa shteteve anëtare sepse pak ditë më përpara kemi pasur një deklaratë të tre shteteve përfshirë Francën, pra Francë, Gjermani dhe Poloni, të cilat kanë sinjalizuar lëvizjen politike në drejtim të vendimmarrjes, dhe tani vendimi i parë në kuadër të Këshillit të BE-së besoj që do t’i paraprijë procedurës për të finalizuar këtë proces me shpallje në gazetë zyrtare që e përmbyll marrëveshjen dhe i mundëson më pas qytetarëve që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë për të lëvizur pa viza në zonën Shengen”, thotë Fetoshi.
Fakti që tema e liberalizimit për Kosovën është përfshirë në agjendë po shihet si sinjal i qartë që në Këshill tashmë ekziston një mbështetje e madhe për të çuar përpara këtë proces.
Megjithatë, vazhdon hezitimi për të përmendur datë se kur do të miratohej një vendim i tillë dhe kur do të hynte në fuqi liberalizimi i vizave.
“Duhet të jemi të kujdesshëm për formën se si e formulojmë çështjen e kohës, momentit, për shkak se ne jemi shtet i vogël, demokraci fragjile dhe rrethuar me, sidomos pjesën veriore, me një armik shekullor i cili po përdor edhe mjetet financiare për të penguar çfarëdo lloj progresi për Kosovën, të jeni të bindur që raportimet e tyre, përdorim i propagandës dhe formave tjera të lobimit në qendrat Evropës nuk ka munduar, për ta bërë të vështirë jetën e qytetarëve në Kosovë dhe për ta bërë edhe më të vështirë lëvizjen e lirë sepse kjo përveç që është çështje e lëvizjes së vullnetit të qytetarëve është po ashtu edhe një barrierë e jashtëzakonshme për bizneset dhe lidhjet që kosovarët duhet t’i kenë me Evropën. Rrjedhimisht duhet të jemi të kujdesshëm sepse jemi në një fazë e cila është kritike, por po ashtu mendoj që i ka ardhur fundi”, thotë kryetari i Komisionit për Punë të jashtme dhe Diasporë.
Diskutimit më 13 tetor i paraprinë një dokument teknik i Komisionit Evropian dërguar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Këshill ku konfirmohet se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për lëvizje të lirë.
Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.