LajmeMaqedoni

Banka Popullore e Maqedonisë: Norma bazë e interesit është rritur në 3,5 për qind

Norma e interesit në bonot e thesarit rritet për 0,5 pikë përqindjeje dhe arriti nivelin prej 3,5 për qind, vlerësoi Komiteti për Politikë Monetare Operative i Bankës Popullore.

Oferta e bonove të thesarit në ankandin e rregullt mbetet e pandryshuar dhe është 10 miliardë denarë.

“Në mbledhje ishte vendosur që të rriten edhe normat e interesit të depozitave në dispozicion gjatë natës dhe në shtatë ditë, gjithashtu për 0,5 pikë përqindjeje. Gjatë marrjes së vendimit i ishte kushtuar rëndësi të veçantë rritjes së inflacionit, i cili në shtator përsëri u përshpejtua, veçanërisht për shkak të komponentës ushqimore dhe energjetike. Gjithashtu, duke e pasur parasysh strategjinë monetare të kursit të qëndrueshëm devizor të denarit në krahasim me euron, ndryshimet në politikën monetare në vend i reflektojnë edhe ndryshimet në politikën monetare të Bankës Qendrore Evropiane”, thonë nga Banka Popullore.

Banka Popullore që nga fundi i vitit të kaluar ka filluar me normalizimin gradual të politikës monetare, me qëllim ruajtjen e stabilitetit afatmesëm të çmimeve. Kjo u realizua nëpërmjet menaxhimit adekuat të likuiditetit si dhe rritjes graduale të normës bazë të interesit. Ky përcaktim monetar u mbështet edhe nga masa shtesë, pra nga ndryshimet në instrumentin e rezervës së detyrueshme për uljen e euroizimit, si dhe nga masat sistematike, pra me futjen e një shtrese mbrojtëse kundërciklike të kapitalit prej 0,5 për qind, e cila forcon më tej mekanizmat mbrojtës në sistemin bankar.

“Pritet që me rritjen e normës bazë të interesit, bashkë me ndryshimet e bëra në normat e ndarjes së rezervës së detyrueshme të cilat janë më të favorshme në krahasim me valutën vendore, edhe më tutje do të ndikohet mbi politikën e interesit të bankave dhe do të stimulohet kursimi në denarë”, thonë nga Banka Popullore.

Inflacioni në vend, thonë nga BP edhe më tutje në masë të madhe është përcaktuar nga faktorët e jashtëm, gjegjësisht nga rritja e çmimeve të importit të ushqimit dhe lëndëve djegëse, duke përfshirë edhe çmimin vendor të energjisë elektrike dhe të ngrohjes, të cilat janë nën ndikimin e ngjarjeve në tregun global të energjisë.

“Për këto arsye, rreth 80 për qind e normës vjetore të inflacionit në shtator, pra 75 për qind e inflacionit në nëntëmujorin e parë të vitit, vjen si pasojë e rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore dhe energjisë. Duke marrë parasysh presionet afatgjata nga këto çmime nën ndikimin e faktorëve të jashtëm të paparashikueshëm dhe efektet e transferimit të tyre në çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera, ushqehen pritjet inflacioniste të subjekteve ekonomike. Prandaj, nevojiten politika të brendshme të kujdesshme për të menaxhuar me kujdes kërkesën. Ndonëse rregullime më të theksuara rënëse në bursat botërore janë tashmë të dukshme në çmimet e ushqimeve, presionet rritëse nga çmimet e energjisë elektrike e vështirësojnë, pra ngadalësojnë kalimin e këtyre tendencave të çmimeve të ushqimeve në tregun vendor”, sqarojnë nga BP.

Tregu vendor i devizave mbetet stabil dhe rezervat e devizave shënojnë rritje të vazhdueshme, e cila deri në shtator është mbi atë që është projektuar. Rezervat devizore janë në zonën e sigurt, ndërsa niveli i tyre i përmbush kërkesat e mjaftueshmërisë sipas standardeve ndërkombëtare.

Në tremujorin e këtij viti është realizuar rritje reale e prodhimit të brendshëm bruto prej 2,8 për qind në bazë vjetore, aq sa ishte edhe norma e pritur e rritjes sipas projeksioneve të fundit të Bankës Popullore.

“Në përgjithësi, për gjysmën e parë të vitit, arritjet janë pak më të mira se parashikimet e Bankës Popullore. Megjithatë, të dhënat e disponueshme me frekuencë të lartë mbi aktivitetin e brendshëm ekonomik në tremujorin e tretë tregojnë për një ngadalësim të rritjes reale ekonomike, e cila së bashku me rishikimet në rënie të kërkesës së huaj për shkak të efekteve të konfliktit ushtarak në Ukrainë dhe thellimit të krizës energjetike, nxjerrin në pah rreziqet rënëse të rritjes në periudhën në vijim”, thuhet në kumtesën e bankës qendrore.

Show More

Related Articles

Back to top button