LajmeRajon

Çelet faza e re e dialogut me Serbinë

Pak ditë pasi Albin Kurti konfirmoi ekzistencën e paketës së re franko-gjermane, opozita kërkon më shumë transparencë. Analistët e vlerësojnë ndërhyrjen e dy vendeve kryesore të BE-së dhe SHBA-ve si serioze, megjithëse në të mungon njohja reciproke.

Propozimi i ri franko-gjerman në procesin e dialogut Kosovë-Serbi është konfirmuar tashmë nga institucionet kosovare dhe ato serbe.

Opozita për të disatën herë kërkon më shumë transparencë nga qeveria Kurti.

Ndërsa tregon pritshmëritë e partisë së saj për njohje reciproke, deputetja e AAK-së Time Kadrijaj thotë se me propozimin e ri të Francës dhe Gjermanisë, qeveria Kurti duhet të bëjë publik çdo draft-propozim që disponon.

“Ajo që kërkojmë nga zoti Kurti është të jetë transparent për procesin e dialogut, se po shohim që kjo qeveri është qeveria më jo transparente sa i përket procesit të dialogut. Është një momentum për unifikim të qëndrimeve sa i përket çështjeve të dialogut”, shprehet Kadrijaj.

I të njëjtit mendim është edhe njohësi i procesit të dialogut Gazmir Raci, i cili ngulmon në konsultime të gjera të qeverisë me opozitën e shoqërinë civile me qëllim arritjen e një konsensusi kombëtar për marrëveshje finale.

Raci thotë se me angazhimin e fundit të Berlinit, Parisit dhe Uashingtonit, ndërkombëtarët po tregojnë një qasje më serioze për fazën finale të dialogut.

Mirëpo ai nënvizon se në iniciativën e re franko-gjermane mungon njohja reciproke.

“Është mirë që kemi një propozim të harmonizuar në mes të Gjermanisë, Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kemi një treshe që duket se po i qaset seriozisht finales së dialogut të Brukselit, por kemi problemin e njohjes nga ana e Serbisë. Njohja e Serbisë është shtyrë për një afat të mëvonshëm, sipas propozimit gjerman. Tashmë po dihet që Serbia nuk është e gatshme për ta njohur tani për tani Kosovën, por dihet që Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa e njohur Kosovën, për faktin e thjeshtë që Bashkimi Evropian nuk është i interesuar më të marrë në gjirin e saj shtete që kanë probleme me fqinjët e tyre”, tha Raci.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë kësaj jave konfirmoi ekzistencën e një iniciative franko-gjermane për fazën finale të dialogut, por nuk zbuloi ndonjë propozim të mundshëm.

Sipas propozimit të Berlinit dhe Parisit, Serbia do ta lejonte Kosovën në organizata ndërkombëtare, në këmbim të përshpejtimit të rrugës së saj drejt Bashkimit Evropian.

Show More

Related Articles

Back to top button