Zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështje Evropiane dhe kryenegociator me Bashkimin Evropian, Bojan Mariçiq prej sot po qëndron në Bruksel me rastin e fillimit të skriningut shpjegues për grupin 3, “Konkurrencë dhe rritje gjithëpërfshirëse”.
“Skriningu shpjegues për këtë Grup fillon me takimin e sotëm shpjegues për Kapitullin 10, ‘Transformimi digjital dhe mediat’, në të cilin ekipi negociator nga Maqedonia e Veriut do të dëgjojë ekspertizën, rekomandimet dhe këshillat nga Komisioni Evropian në këtë fushë, të cilat do të udhëzojnë më tej në përgatitjet për skriningun dypalësh në këtë kapitull”, informojnë nga Sekretariati për Çështjet Europiane.
Deri më tani me sukses kanë përfunduar skriningjet shpjeguese për Grupin 1, “Themelet” dhe Grupin 2 “Tregu i brendshëm” që është edhe konstatim i Komisionit në Raportin vjetor për Maqedoninë e Veriut për vitin 2022, përderisa procesi i skriningut zhvillohet pandërprerë, ndërsa vendi tregon nivel të lartë të përkushtimit.
Deri në fund të kësaj jave do të mbahen edhe takimet për skrining për kapitujt 16,17,19,20,25,26 dhe 29, gjegjësisht kapitujt “Tatimimi”, “Politika ekonomike dhe monetare”, “Politika sociale dhe punësimi”, “Ndërmarrje dhe politika industriale”, “Shkencë dhe hulumtim”, “Arsim dhe kulturë” dhe “Bashkimi Doganor”.
Pas mbajtjes së Konferencës së parë Ndërqeveritare me BE-në në qershor të këtij viti, me të cilën Maqedonia e Veriut hapi zyrtarisht negociatat, filloi procesi i skriningut, i cili përbëhet nga dy faza. E para është skriningu shpjegues – kur Komisioni Evropian do të prezantojë legjislacionin më të rëndësishëm të BE-së për të gjithë kapitujt e grupuar tashmë në grupe, gjegjësisht, në rastin e vendit tonë, do të bëhet vetëm një përditësim i akteve përkatëse (duke marrë parasysh se ne e kemi kaluar tashmë këtë proces në 2018-2019)
Faza e dytë e skriningut, gjegjësisht skriningu dypalësh, i cili fillon më 11 nëntor për grupin 1, “Vlerat fundamentale”, përfaqëson proces në të cilin ne e prezantojmë nivelin e harmonizimit të legjislacionit nacional dhe planet për harmonizim të mëtutjeshëm, ndërtim të kapaciteteve institucionale dhe administrative, si dhe resurse të nevojshme financiare dhe të TI-së për zbatimin e standardeve evropiane.\Telegrafi\