Banka Popullore në ueb-faqen e saj, në mesin e të dhënave dhe treguesve për sistemin bankar të Maqedonisë së Veriut, ka filluar të publikojë edhe të dhënat tremujore për kreditë e financimit të gjelbër të miratuara për amvisëritë dhe shoqëritë jofinanciare, transmeton Portalb.mk.
Në informacionin e BP bëhet e ditur se publikimi i këtyre të dhënave është një nga aktivitetet e Bankës Popullore që kontribuon në krijimin e një ekonomie “të gjelbër” dhe të qëndrueshme.
“Deri më tani, Banka Popullore ka ndërmarrë disa aktivitete për rritjen e ndërgjegjësimit për pasojat e ndryshimeve klimatike dhe për komponentin gjithnjë e më të përhapur “të gjelbër” në financa në ekonominë maqedonase. Të ashtuquajturat “kredi të gjelbra” synojnë përmirësimin e eficencës energjetike të amvisërive dhe sektorit privat, për investime në teknologjitë e gjelbra, materiale dhe zgjidhje dhe për investime në burimet e rinovueshme të energjisë, kontrollin dhe parandalimin e ndotjes, mbrojtjen e mjedisit, si dhe reduktimin e rreziqeve nga ndryshimet klimatike”, thuhet në njoftim.
Banka Popullore rikujton se në fillim të vitit 2022 kanë kryer anketë për rreziqet e ndryshimeve klimatike, sipas së cilës 40 për qind e bankave vendase dhe bankave të kursimit kanë futur produkte dhe shërbime si reagim ndaj ndryshimeve klimatike, ndërsa 80 për qind e të anketuarve u përgjigjën se po shqyrtojnë futjen e produkteve dhe shërbimeve të reja në përgjigje të ndryshimeve klimatike.
“Ndryshimet klimatike dhe sociale, me të cilat po përballemi gjithnjë e më shumë, lënë gjurmë të dukshme në ekonominë globale dhe mund të ndikojnë në arritjen e objektivave të bankave qendrore. Prandaj është e nevojshme që politikëbërësit të angazhohen për të zbutur pasojat e mundshme ekonomike të ndryshimeve klimatike. Në të ardhmen, transformimi i gjelbër dhe ai digjital mund të kontribuojnë në ndërtimin e ekonomive më të forta që janë rezistente ndaj goditjeve,” thotë Banka Popullore, duke shtuar se “sfidat me të cilat po përballen tani ekonomitë e botës janë dëshmi se duhen kërkuar zgjidhje alternative dhe të mendohet në mënyrë afatgjatë në drejtim të ofrimit të burimeve të qëndrueshme të energjisë dhe rritjes së prodhimit të ushqimit”.\Almakos\