LajmeRajon

Rama letër vendeve të KiE: Korrigjoni rezolutën

Nuk mjaftoi vetëm një fjalim i gjatë. Një javë me pas kryeministri Rama u dërgon një letër krerëve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, ku kërkon edhe njëherë mirëkuptimin e gjithë përpjekjes për të rrëzuar raportin e Dick Marty.

“Nuk ka absolutisht asnjë provë, qoftë në Shqipëri a gjetkë në rajon, për nxjerrje dhe trafikim organesh, e cila do të mund t’i ngarkohej qoftë edhe një pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për më tepër, aktakuzat e paraqitura nga Dhomat e Specializuara në Hagë nuk përmbajnë as edhe një fjalë të vetme lidhur me nxjerrjen dhe trafikimin e pretenduar të organeve njerëzore”, ka thënë Rama.

Rama kërkon mbështetjen e udhëheqësve për miratimin e kërkesës së Shqipërisë për nisjen e procedurës që do të çojë në një raport vijues.

 “Shpresoj në mbështetjen tuaj personale dhe atë të anëtarëve të delegacionit të vendit tuaj në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për miratimin e kërkesës sonë, për nisjen e procedurës që do të çojë në një raport vijues, si korrigjim i ndershëm dhe i domosdoshëm i një gabimi tragjik, pasojat e të cilit vazhdojnë të na përndjekin”, është shprehur kryeministri Rama.

Më 12 Tetor 2022, kryeministri Rama i paraqiti këto argumente përpara Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për t’i bërë thirrje për hartimin e një raporti vijues. Fjalimi i kreut të qeverisë shqiptare u shoqërua me akuza dhe debate, jo vetëm në sallën e Këshillit por edhe në Shqipëri.

Show More

Related Articles

Back to top button