Nga nesër e deri me 23 tetor 2022, në Tetovë do të mbahet Edicioni i 26-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Atë do ta karakterizoj një program i ngjeshur letrar, artistik dhe kulturor. Në te do të mbahen disa lexime letrare, do të ndahet çmime të ndryshme letrare, si dhe do të bëhen vizita në monumentet kulturore, historike dhe fetare në qytetin e Tetovës dhe Prizrenit. Kjo u bë e ditur, në një Konferencë shtypi të mbajtur në Tetovë, nga drejtori dhe anëtarët tjerë të FNP “Ditët e Naimit”, Shaip Emërllahu, Bujar Plloshtani dhe Xhelal Zejneli, transmeton Portalb.mk.
Në Edicionin e 26-të të FNP “Ditët e Naimit” marrin pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës, si: Spanja, Pakistani, SHBA-të, Italia, Maroko, Mali i Zi, Izraeli, Suedia, Maqedonia e Veriut, Zvicra, Polonia, Mbretëria e Bashkuar, Maqeodnia e Veriut, Turqia, Greqia, Kosova, Italia, Shqipëria, Bullgaria dhe Sllovakia.
Kështu, hapja e ceremonisë së Edicionit të XXVI të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” do të bëhet të enjten në orën 19.30, para Qendrës së Kulturës “Naim Frashëri”, në Tetovë.
Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, laureati suedez Kristoffer Leandoer dhe një delegacion nga Komuniteti Bektashian do të vendosin buqete lulesh para shtatores së poetit te madh “Naim Frashëri”.
Në hyrje të Qendrës së Kulturës, publikut edhe në këtë hapje do t’iu dhurohet Antologjia e këtij edicioni dhe libra të tjerë të Festivalit.
Më pas në Sallën e Madhe do të bëhet hapja zyrtare e Programit të Edicionit të 26-të FNP “Ditët e Naimit.
“Në hapje të këtij Edicioni, aktori Arsim Kaleci do të recitoj poezinë “Fjalët e Qiririt” të Naim Frashërit, ndërsa nga një pikë muzikore me piano, gitare dhe në flautë do të ekzekutojnë virtuoz të muzikës klasike. Në orën e madhe letrare ‘Globi poetik’, përveç leximit të poetëve, do t’i ndahet edhe çmimi i madh letrar “Naim Frashëri” dhe do t’i jepet titulli Anëtar Nderi, laureatit suedez Kristoffer Leandoer, te cilin juria e Festivalit e perbere nga Ymer Çiraku, Ndue Ukaj dhe Xhelal Zejneli, ja ndanë kohë më parë”, njoftuan nga drejtoria e festivalit.
Çmimin e madh letrar “Naim Frashëri” dhe titullin e lartë, Anëtarë Nderi të Festivalit, deri tani e kanë marrë shkrimtarët dhe intelektualët e njohur, si Ismail Kadare, Fatos Arapi dhe shkrimtarë të tjerë ndlrkombëtarë.
“Në ditën e dytë të Programit, poetët do ti vizitojnë monumetet kulturore dhe historike në qytetin e Tetovës kurse në orën 18.00 në Qendrën për Kulturë dhe Art “Shift Center” do të mbahet ora letrare “Poetë dhe vargje” dhe do të ndahet çmimi letrar Silke/Lirie Blumbach”, njioftuan nga drejtoria e festivalit.
Në ditën e tretë poetët do të shkojnë në Prizren, ku përveç vizitave që do tiu bëjnë monumenteve kulturore dhe historike të Prizrenit ata do te mbajne edhe orën letrare “Meridiane poetike”, ku krijimet e tyre do ti lexojnë poetët pjesëmarrës.
Aty do të ndahet edhe katër çmimet letrare, Ditët e Naimit”, “Menada”, “Oeneumi” dhe Qiriu I Naimit”
Nderkaq, ne mbremje do te mbahet ora e madhe letrare “Meridianet poetike”, ku do te lexojne poezite e tyre poete te shumte te huaj dhe shqiptare, si dhe do të ndahen katër çmimet tjera letrare të Festivalit.
Ne fund do te behet edhe mbyllja e Edicionit te 26 te FNP “Ditet e Naimit”.
Festivali këtë vit mbështetet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Komuna e Prizrenit si dhe disa sponsorë privatë.