LajmeMaqedoni

Japonia dhuroi pajisje me vlerë afër 40 mijë euro në Entin për rehabilitim të dëgjimit, të folurit dhe zërit në Shkup

Ambasadori i Japonisë, Sawada Hironori, së bashku me zonjën Elizabeta Gjorgievska, bashkëshortja e presidentit Pendarovski, morën pjesë në ceremoninë e përfundimit të GGP projektit në Institutin për Shëndet Publik (ISHP) Enti për rehabilitim të dëgjimit, të folurit dhe zërit – Shkup, transmeton Portalb.mk.

Përmes këtij projekti, Japonia i mundësoi Entit për rehabilitimin e dëgjimit, të folurit dhe zërit – Shkup të pajiset me sistem biofeedback, dorezë inteligjente, pajisje vocaStim Master dhe tabelë inteligjente, të gjitha të destinuara për trajtimin e aftësive të kufizuara të ndryshme, në vlerë totale prej 21,471 euro.

Ceremonia u organizua nga dr. Silvana Filipova, drejtoreshë e ISHP Entit për rehabilitim të dëgjimit, të folurit dhe zërit – Shkup.

“Që nga fillimi i përdorimit të aparaturave në prill të këtij viti, janë kryer rreth 1000 shërbime për pacientë nga i gjithë vendi”, tha doktoresha Filipova.

“Me këtë donacion është përmirësuar dukshëm cilësia e diagnostikimit dhe terapisë së pacientëve dhe populli japonez është i lumtur dhe krenar që ndihmon popullin në Maqedoninë e Veriut të ketë kushte më të mira shëndetësore”, tha ambasadori Sawada.

“Mbi 1000 ndërhyrje është një numër vërtet mbresëlënës. Ky grant është rezultat i bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Ambasadës Japoneze, Entit për rehabilitimin e dëgjimit, të folurit dhe zërit dhe Zyrës së Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Gjorgievska.

Nëpërmjet GGP-së, deri më tani, Japonia ka financuar mbi 60 projekte në sektorin e shëndetësisë me një vlerë totale prej më shumë se 3 milionë euro, veçanërisht në pajisje mjekësore, rinovime klinikash dhe ambulanca.

Për më tepër, Japonia ka pajisur objektet e shëndetit publik me pajisje mjekësore në vlerë prej 813,000 euro gjatë dy viteve të fundit si një ndihmë urgjente për COVID-19, pjesë e Programit të Zhvillimit Ekonomik dhe Social dhe ndihmë shtesë jofinanciare të ofruar në ilaçe për 100 pacientë me COVID-19.

Nëpërmjet projekteve të Programit për Grante të Vogla (GGP), Japonia ka financuar rinovimin dhe blerjen e pajisjeve për më shumë se 73 shkolla dhe kopshte, 64 objekte shëndetësore dhe ka ofruar 34 automjete të specializuara për menaxhimin e mbeturinave dhe shërbimeve komunale për 51 komuna.

Show More

Related Articles

Back to top button