LajmeMaqedoni

Pensionimi i mjekëve në RMV mbyll ambulancat

Shoqata e Mjekëve Amë në Maqedoninë e Veriut ka ndezur alarmin se mijëra pacientë mund të mbesin pa shërbime të mjekësisë primare, pasi deri në fund të këtij viti rreth 100 mjekë pritet të dalin në pension.

Sipas Ligjit për marrëdhëniet e punës, burrat dalin në pension në moshën 64-vjeçare, ndërsa gratë në moshën 62-vjeçare.

Mjeku amë ose mjeku familjar, është edhe udhëheqësi i ambulancës. Me daljen në pension, ambulanca mbyllen dhe stafi tjetër, që është mjeku ndihmës dhe motra medicinale, mbeten pa punë dhe kalojnë në Agjencinë për Punësim.

Në bazë të Ligjit për mbrojtje shëndetësore, në momentin që mjeku amë pensionohet, nga regjistri i tij i shlyhen të gjithë pacientët.

Për këtë arsye Shoqata e Mjekëve Amë (ShMA) kërkon që ky ligj të ndryshohet dhe pacientët të regjistrohen në emër të ambulancës, dhe jo mjekut amë.

Kështu, sipas tyre, nuk do të shuhet e gjithë ambulanca, dhe personeli tjetër mjekësor nuk do të mbetet pa punë.

“Pasi alarmuam se do të goditet sistemi shëndetësor, ministri i Shëndetësisë [Bekim Sali], u zotua gjatë muajit të kaluar se të gjithë mjekët që janë mbi 64 vjeç, pasi të kenë bërë kërkesë tek ai, do t’u mundësohet të vazhdojnë punën edhe për një kohë të caktuar”, thotë për Radion Evropa e Lirë kryetarja e ShMA-së, Lilia Dervishova.

Ajo thotë se në bazë të ligjit ekzistues, mjekët e rinj edhe pse kanë qenë të angazhuar në ambulancat e mjekëve që dalin në pension, ata duhet të regjistrojnë çdo pacient nga fillimi, gjë që kërkon shumë kohë dhe njëkohësisht humbje materiale, për shkak që jo të gjithë pacientët duan të transferohen te mjeku i ri.

Mjekët amë pagën e marrin nga Fondi për Shëndetësi, varësisht nga numri i pacientëve të regjistruar, që njihet si kapitacion.

“Do të ishte më mirë që ligji që rregullon këtë çështje të ndryshojë dhe ambulancat t’u kalohen mjekëve të rinj që tashmë punojnë në to, kështu nuk do të paraqitej dhe problemi me stafin përcjellës mjekësor, i cili mbetet në rrugë pas pensionimit të mjekut amë”, thotë Dervishova.

Pensionimi i një pjese të mjekëve amë tashmë ka lënë pa punë personelin mjekësor.

Një motër medicinale tregon për REL-in përvojën e saj. Ajo punonte në një ambulancë në Veles dhe pasi mjekja amë doli në pension dhe ambulanca u mbyll, thotë se i janë dashur javë të tëra për të grumbulluar dokumentet që t’ia dërgonte Ministrisë së Shëndetësisë, dhe më pas të paraqitej në Entin për Punësim.

“Edhe pas dy muajve unë nuk kam marr asnjë përgjigje. Tani qëndroj në shtëpi si e papunë”, tregon ajo, duke mos dashur t’i zbulohet identiteti.

Mjeku Ilir Luma, i cili tashmë është në pension, thotë për Radion Evropa e Lirë se përkundër angazhimit të tij që ambulancën t’ia kalonte mjekut të ri, i cili ka qenë i angazhuar aty, kjo ka qenë e pamundur pasi regjistrimi i pacientëve duhej të bëhej nga fillimi.

Ai thotë se kjo bën që mjekët e rinj të mos jenë të interesuar për mjekësinë primare, pasi nevojiten disa vite për të grumbulluar numrin e pacientëve – në mënyrë që të arrijnë të marrin një pagë solide.

“Në kohën kur kemi mungesë të mjekëve, ne vend se të krijohen lehtësime për mjekët e rinj të cilët tashmë janë të angazhuar te mjekët amë, ata detyrohen që gjithçka ta bëjnë nga e para. Kjo kërkon kohë dhe koha e humbur i bënë të largohen mjekët e rinj”, thotë Luma.

Përveç kësaj, ai thotë se ardhja e mjekut të ri si mjek amë, i cili ka qenë paraprakisht i angazhuar si mjek ndihmës në ordinancë, do të ishte edhe në të mirë të pacientëve “pasi ka kontakt dhe i njeh ata”.

“Në këtë mënyrë edhe pacientët kanë një vazhdimësi të trajtimit mjekësor, veçanërisht ata që janë me sëmundje kronike”, thotë ai.

Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut i tha REL-it se do të shqyrtojë të gjitha mundësitë që mjekët që janë para pensionimit të mund të vazhdojnë punën edhe për tre vjet të tjera, por nuk dhanë detaje nëse Ligji për mbrojtje shëndetësore do të ndryshohet.

Në Maqedoninë e Veriut janë të regjistruar rreth 1.400 mjekë amë të cilët paguhen nga Fondi i Shëndetësisë, varësisht nga numri i pacientëve që u shërbejnë.

Show More

Related Articles

Back to top button