Gjatë kësaj jave MASH-i dhe SASHK-u nënshkruajnë marrëveshjen e parë mes tyre për rritje të pagave në sektorin e arsimit. Ministri Jeton Shaqiri bëri të ditur se marrëveshja e parë ka të bëjë me të ashtuquajturën marrëveshje e dakordësisë, pas së cilës vjen ajo për rritje te pagave prej 15 %. Ministri thekson se ndjehet i lumtur që ky proces mbaroi me një epilog të suksesshëm dhe të kapshëm nga të gjithë palët.
“Më vjen mirë se pas atyre debateve që kishim mbi pagat, gjatë kësaj jave do të firmosim edhe marrëveshjen e parë të dakordësisë mes Sindikatës dhe MASH, pastaj do të kemi edhe një marrëveshje për çështjen e 15 përqindëshit. Do ta diskutojmë edhe mënyrën e zgjedhjes edhe të pjesë tjetër të mbetur në mënyrë sistemore dhe jam i lumtur që edhe kjo punë përfundon për të gjithë ata që punojnë në sektorin e arsimit”, deklaroi Jeton Shaqiri, ministër i MASH.
Greva në kopshte dhe shkolla filloi më 11 prill dhe zgjati tre javë me kërkesën për rritje të pagave prej 18.4 për qind. Më 28 prill, greva u ndërpre pasi sindikata mori një njoftim nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale se Ministria e Arsimit dhe Shkencës kërkon zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjes së punës përmes ndërmjetësuesit. Pas emërimit të ndërmjetësuesit, filloi procesi i pajtimit mes SASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, i cili në përfundim të afatit ligjor prej 20 ditësh përfundoi me harmonizimin e qëndrimeve të të dyja palëve.