I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se e mbështesin propozimin franko-gjerman, por ka thënë se Amerika nuk jep afate për arritjen e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk e di që propozimi evropian kërkon një zgjidhje urgjente brenda pak javësh, por sigurisht që kërkon përparim shumë të shpejtë në dialog”, ka thënë Escobari në një intervistë për televizionin publik serb, “RTS”.
Escobari ka thënë se propozimi franko-gjerman duhet të merret në konsideratë, pasi siç ka thënë ai, “do të na ndihmojë që shumë shpejt të përparojmë në dialog”.
“Nuk kam vendosur asnjë afat për këtë dhe ai propozim është ende në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Para së gjithash, nuk na takon ne të vendosim afate, por me sa di unë, as evropianët nuk i kanë vendosur ato”, ka thënë ai.
Kujtojmë se dy ditë më parë, zyrtari amerikan ka qëndruar edhe në Kosovë, ku në një intervistë për “Kanal10”, ka thënë se “arritja e një marrëveshjeje për rrugën përpara mes Kosovës e Serbisë, çështje javësh”.