Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrila Kacarska gjatë intervistës për Slobodna TV, porositi se deputetët duhet të respektojnë Kushtetutën, ndërsa ajo nënkupton që të zgjedhen të gjithë katër gjykatësit kushteutes që të kompletohet Gjykata Kushtetuese, transmeton Portalb.mk.
“Sa kam informacionë, veç më ka përfunduar diskutimit për dy gjykatës, ajo do të thotë se, mbeten edhe dy vende të paplotësuara dhe sipas meje, kupthet se është mirë që do të zgjedhen dy gjykatës, por vlerësoj se deputetët duhet të mbledhin forca dhe të respektojnë Kushtetutën, që të kompletojnë Gjykatën Kushtetuta sepse Kushtetuta parasheh nëntë gjykatës”, tha Kacarska.
Në lidhje me akuzat e fundit në Kuvend rreth zgjedhjes dhe propozimit të kandidatëve për gjykatës kushtetues, Kacarska tha se, veç më ka qëndrim për atë, por nuk do ta komentojë që të mos e shpreh paraprakisht mendimin, por atë do ta thotë në sallën e seancave.
Ndërsa, në temën rreth besimit në gjyqësor, ajo tha se, institucionet duhet të merren me gjyqësorin dhe të kontrollohet pasuria e gjykatësve.
“Maqedonia ka gjykatës, prokurorë dhe avokatë me të cilët mund të krenohet, por fatkeqësisht ka edhe të tillë të cilët nuk e kanë vendin në gjyqësor. Nëse flasim vazhdimisht për korrupsionin ndërsa nuk kemi lëndë konkrete, atëherë si do ta kthejmë besimin? Nuk do të thotë se një gjykatës duhet të shkarkohet vetëm për shkak të veprimit joprofesional, unë çdoherë them e të shohim cili prej nesh me çfarë prone disponon, kush si sillet dhe çfarë takime ka me politikanë”, tha Kacarska.
Kujtojmë se, Gjykata Kushtetuese funksionon prej muajsh me vetëm pesë nga gjithsej nëntë gjyqtarë. Mandati i një gjyqtari tjetër do të përfundojë më 7 dhjetor të këtij viti, çka do të thotë se Gjykata nuk do të ketë kuorum as për mbajtjen e seancave.
Javën e kaluar përfundoi debati në seancë plenare për zgjedhjen e dy gjykatësve kushtetues dhe sipas paralajmërimeve, pritet të caktohet seancë e re për votimin e tyre. Ndërkohë, debati për kandidatin e tretë që është kryeprokurori publik, Lubomir Joveski, ka ngecur në komisionin parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime, pasi VMRO – DPMNE njoftoi paraprakisht se, nuk do të lejojë zgjedhjen e tij dhe bllokon vazhdimisht punën e komisionit me vërejtje procedurale dhe fjalime të gjata.
Ndryshe, tre gjyqtarët duhet t’i plotësojnë vendet e tashmë ish-gjyqtarëve Sali Murati, Elena Gosheva dhe Nikolla Ivanovski, mandati i të cilëve skadoi në fund të majit 2021. Vitin e kaluar në qershor ishte caktuar seancë për përcaktimin e propozimeve për vendet e lira, por seanca filloi në atmosferë të tensionuar dhe më pas u ndërpre. Më pas ishin zgjedhjet lokale, ristrukturimi i shumicës në Kuvend dhe ndryshimet në përbërjen e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime.
Në ndërkohë ka skaduar edhe mandati nëntëvjeçar i gjyqtarit Jovan Josifovski, i cili u largua nga Kushtetuesja në fund të janarit të këtij viti. Më 7 dhjetor të këtij viti i skadon mandati gjyqtares Vangelina Markudova dhe nëse deri atëherë nuk zgjedhen gjyqtarët, Gjykata Kushtetuese mbetet pa kuorum, me çka një numër i madh nismash të dorëzuara nuk do të mund të votohen.