Përshëndesim rilansimin e Procesit të Berlinit nga Kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë dhe marrëveshjet e arritura dje në mes të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nën udhëheqjen e Ministres së Punëve të Jashtme gjermane Annalena Baerbock.
Marrëveshjet për njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale janë tejet të rëndësishme për materializimin e Tregut të përbashkët rajonal. Por marrëveshja më domethënëse politikisht pa dyshim është ajo për lëvizjen e lirë me letërnjoftime ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që nënkupton shembjen e murit të fundit të vizave të mbetur në rajon, atë mes Republikës së Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës.
Kjo e arritur konfirmon edhe një herë se Procesi i Berlinit është korniza e vetme për integrimin ekonomiko-politik të rajonit, zgjidhjen e pengesave të mbetura për arritjen e Tregut të përbashkët rajonal dhe rruga e vetme për integrimin gradual të Ballkanit në Tregun unik evropian.
Është dëshmuar se projekti Ballkani i Hapur nuk kontribuon në rritjen e bashkëpunimit rajonal, por përkundrazi, ai thellon përçarjet dhe ndikon negativisht në integrimin e vërtetë të rajonit duke minuar zbatimin e Tregut të përbashkët rajonal të Procesit të Berlinit. Kjo gjë u konfirmua edhe nga Raporti i progresit 2022 për Maqedoninë e Veriut, i cili vlerëson se zbatimi i katër lirive të lëvizjes të Tregut unik ngelet ndër pikat më të dobëta të reformave evropiane në vend.
Andaj, i bëjmë thirrje qeverisë së Maqedonisë së Veriut që tash e tutje të dedikojë tërë energjitë e saj në zbatimin e planit të veprimit 2021-2024 të Tregut të përbashkët rajonal. Improvizimet dhe aventurat në kuadër të proceseve paralele, përjashtuese dhe që çojnë drejt një Ballkani Perëndimor me dy shpejtësi duhet të ndalen menjëherë.