LajmeMaqedoni

Kasami: Ka ankesa për zhurmë dhe pornografi në “Space” Tetova, reaguan vullnetarët: Kjo është shpifje

Vazhdojnë përplasjet mes të rinjve vullnetarë të Hapësirës Socio-Kulturore të njohur ndryshe si “Social Cultural Space” me kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Komuna ka vendosur që kjo shoqatë t’i lirojë hapësirat, pasi siç thonë, dëshiron këtë vend ta lëshojë në përdorim edhe për të rinj tjerë. Kjo e fundit thotë se komuna shkel memorandumin sipas së cilit ata kanë të drejtë të shfrytëzojnë objektin deri në vitin 2024 dhe se aty ka vend për të gjithë. Kasami sot tha se mes tjerash, ka marrë vërejte se aty praktikohen aktivitete pornografike, ndërsa nga “Space” hodhën poshtë një gjë të tillë duke e konsideruar si shpifje, shkruan Portalb.mk.

Kronologjia e problemit

Në vitin 2018, organizata Democracy LAB së bashku me vullnetarë të rinj me ndihmën e një organizatë belge filluan realizimin e projektit për revitalizm të objekteve të braktisura në Tetovë. I vetmi objekt që i plotësonte kushtet për revitalizim ishte objekti tek ish “Radio Tetova” i cili është nën kompetencën e Komunës së Tetovës. Leja e Komunës për shfrytëzim dhe rehabilitim të objektit në fjalë u dha në formë memorandumi zyrtar mes dy organizatave me kohëzgjatje për disa muaj.

Pas skadimit të afatit të memorandumit të parë, vullnetarët krijuan shoqatën e quajtur hapësira Socio-kulturore Tetova (Social Cultural Space Tetova) me të cilën vazhdojnë të nënshkruajnë edhe 3 memorandume të tjera bashkëpunimi me Komunën e Tetovës me të cilët atyre iu mundësohet shfrytëzimi i kësaj hapësire.

Edhe pse në memorandum nuk është i definuar saktë se cili objekt u takon vullnetarëve por shkruan se “Space” mund të përdorin në përgjithësi gjitha hapësirat e braktisura në Tetovë, këta të fundit kanë ngelur në objektin tek ish “Radio Tetova” sepse ai është i vetmi i natyrës së tillë. Memorandumi i fundit i nënshkruar në prill 2021, u lejon atyre që hapësirën të shfrytëzojnë deri në prill të vitit 2024.

Më 17 tetor 2022, Komuna e Tetovës ka lëshuar vendim me të cilin, Njësia për kulturë dhe sport e komunës do të menaxhojë me aktivitetet kulturore në këtë vend dhe se aktivistët e Hapësirës Socio Kulturore duhej që të lëshojnë hapësirën për 4 ditë. Më pas nga komuna ua kanë zgjatur afatin deri në fund të këtij muaji.
Pas këtij vendimi të komunës, kishte reagime nga vullnetarët e rinj, përplase kjo që vazhdon tani më 10 ditë.

Sot në konferencë për shtyp, Kasami duke e arsyetuar vendimin thotë se në memorandum nuk potencohet askund shfrytëzimi i hapësirave të objektit të ish Radio Tetovës, dhe se leje për shfrytëzim nuk mund të japë kryetari i komunës duke nënshkruar memorandume, por për dhënien në shfrytëzim të hapësirave publike kompetente është këshilli i komunës duke përfshirë edhe procedurat tjera ligjore.

Ai tha se Hapësira Socio Kulturore manipulon edhe shoqatat tjera simotra të cilat nuk e njohin problematikën, që sipas tij tenton në mënyrë të padrejtë që të përvetësojë këto hapësira me tendencën e krijimit të monopolit kundrejt shoqatave tjera.

“Komuna e Tetovës asnjëherë nuk ka penguar dhe nuk do të pengojë aktivitete kulturore, përkundrazi, ne si komunë gjithmonë kemi mbështetur dhe do të mbështesim aktivitete kulturore e veçanërisht aktivitetet rinore të cilat kanë për synim aktivizimin e rinisë në jetën publike. Që nga marrja e mandatit në komunë kanë ardhur shumë shoqata të cilët kanë kërkuar hapësira publike për realizimin e aktiviteteve të tyre, por ne në mungesë të hapësirave adekuate nuk kemi mundur tu sigurojmë hapësirat e nevojshme, kështu Komuna ka zgjedhë që objekti në fjalë të shfrytëzohet nga të gjithë organizatat që veprojnë në komunën tonë, përfshirë edhe shoqatën në fjalë, të cilët do të aplikojnë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, dhe kjo do të bëhet përmes Njësisë për kulturë dhe sport të Sektorit për veprimtari publike”, tha Kasami.

Të dyja palët me letra nga banorët

Kasami tha se ka ankesa nga anët e banorëve përreth Hapësirës Socio Kulturore.

“Duke llogaritur në ankesat e drejtuara deri në komunën e Tetovës (e paraqet dokumentin e peticionit) nga qytetarë të cilët kanë paraqitur ankesa të shumta e që unë do t’i përmendi disa nga ato: parkimi vend e pavend, hedhja e mbeturinave përreth objektit dhe përgjatë rrugës, muzika e zhurmshme deri në orët e hershme të mëngjesit, konsumimi i tepërt i alkoolit në mënyrë të pakontrolluar dhe punë të tjerë jo etike e veçanërisht për fëmijët e moshës së mitur”, tha Kasami.

Show More

Related Articles

Back to top button