GostivarLajme

Gostivar, mbi 200 gra vuajnë nga kanceri i gjirit / Pacientja më e re ka 19 vjet

Mbi 200 gra në Gostivar trajtohen nga kanceri në gji. Kjo shifër alarmante u bë e ditur në debatin e organizuar në Gostivar nga shoqata “Ezra”, e cila merret me mbrojtjen e të drejtave të grave që vuajn nga kanceri në gji, llojet e tjera të kancerit dhe sëmundje tjera. Njomza Shaqiri nga kjo shoqatë thekson se numri mund të jetë edhe më i lartë, pasi mund të ketë gra nga qyteti ynë që trajtohen nëpër qytete tjera.

“Në qytetin tonë nga lista që e kemi marrë nga gjinekologët në spital, në Gostivar janë të regjistruara diku 200 dhe këtu flasim për qytetin. Tani, kësaj liste i shtohen edhe gra të cilat kurohen në vende të tjera, numri nuk është i vogël dhe prandaj vetëdijësimi për zbulim të hershëm, është shumë i rëndësishëm”, deklaroi Njomza Shaqiri, aktiviste pranë shoqatës “Ezra”.

Pacientja më e re e diagnostikuar me kancerin e gjirit në Gostivar është 19 vjeçe, kurse më e moshuara ka 80 vjet. Miranda Ramadani Izairi, mjeke radiologe pranë Spitalit të Gostivarit tha se kjo sëmundje prek të gjitha grup-moshat, por më shumë ato të moshës 45-50 vjeçare.

“Kemi paciente të moshës 19 vjeçare e cila diagnostifikohet në shtetin tonë, mirëpo ka një shërueshmëri relativisht pozitive. Pastaj kemi pacientë të moshës 80 vjeçare, kurba më e lartë e diagnostifikimit të karcionimit të gjirit është 45 deri 50 vjeçare”, deklaroi Miranda Ramadani Izairi, mjeke radiologe pranë Spitalit të Gostivarit.

Diagnostifikimi i hershëm në 90 përqind të rasteve sjellë shërim të plotë të kësaj sëmundje, tha mjekja Ramadani Izairi.

“90 për qind e pacienteve të cilat diagnostifikohen në periudhë të hershme, ato janë 100 për qind të shërueshme. Diagnostifikimi i hershëm i karcinomit të gjirit ka një shërueshmëri shumë të lartë në krahasim me diagonstifikimin e vonshëm”, deklaroi Miranda Ramadani Izairi, mjeke radiologe pranë Spitalit të Gostivarit.

Kjo punëtori me nxënëse të shkollave të mesme erdhi nga shoqata “Ezra” me rastin e muajit tetor, njohur ndryshe si muaji rozë për vetëdijësim të popullatës mbi kancerin e gjirit. Ndryshe, komuna e Gostivarit para dy muajsh ka themeluar edhe komision për mbrojtjen e të drejtave të pacientit, ndërsa tani mundëson falas edhe 50 mamografi për gjininë femërore së bashku me një ordinancë private nga Gostivari.

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk