LajmeRajon

Vuçiqi tha se shifrat e regjistrimit të shqiptarëve janë të fryra, Kurti ka një kërkesë për ndërkombëtarët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar monitorimin e përpunimit të të dhënave të regjistrimit të popullsisë në Serbi nga bashkësia ndërkombëtare, pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se shifrat e regjistrimit janë fryrë nga shqiptarët.

“Jemi të vetëdijshëm që edhe përpunimi i të dhënave, proces në të cilin shqiptarët nuk do të kenë qasje, është shumë i rëndësishëm. Duke pasur parasysh deklaratat skandaloze të kreut të Serbisë se shifrat e paraqitura, ende pa përfunduar procesi, janë shifra të fryra nga shqiptarët, kërkojmë vëzhgim nga bashkësia ndërkombëtare. Këto deklarata dëshmojnë se pse procesi i regjistrimit të popullsisë e pasurive, për shqiptarët ka rëndësi historike e kombëtare”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai u shpreh mirënjohës ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës për deklarim masiv kombëtar.

 “Sot, kur po përfundon një proces me interes të veçantë edhe për Qeverinë e Republikës së Kosovës, informacionet që vijnë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, janë se përkundër pengesave të shfaqura gjatë procesit të regjistrimit, shqiptarët janë aktivizuar në maksimum për një muaj rresht, që të regjistrohen të gjithë, e edhe ata që janë me banim të përkohshëm në Kosovë e diasporë. U jam mirënjohës sot tërë spektrit politik shqiptar anekënd, shoqatave, organizatave joqeveritare, klerikëve fetarë e në veçanti secilit regjistrues shqiptar për angazhimin e palodhur që për një muaj të regjistrojnë çdo shqiptar”, ka shtuar ai.

Ai theksoi se nga dita e parë ka bërë thirrje që regjistrimin e popullsisë mos ta trajtojmë vetëm si veprim i natyrshëm, por si veprim kombëtar e historik, sepse, sipas tij, shqiptarët në Serbi, e me theks të veçantë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc nuk trajtohen në mënyrë të barabartë me qytetarët e tjerë.

“Në rrethana normale e në vende me demokraci të zhvilluar e liri të garantuara, ky proces do të trajtohej si proces i natyrshëm, por në të tilla rrethana nuk jetojnë shqiptarët në Serbi. Ata përballen me mosintegrim e me shkelje të të drejtave elementare të njeriut”.

Show More

Related Articles

Back to top button