Beograd- Arrestohet babai që rrihte të bijën pasi ajo nuk luante mir╒ tenis gjatë stërvitjes.
Pamjet e rënda filmike të një prindi që rrihte vajzën e tij 14-vjeçare gjatë një seance stërvitore në Beograd (Serbi) bënë xhiron e rrjetet sociale. Filmimi ishte bërë dhe postuar në rrjetet sociale nga Igor Juric, ish-lojtar e trajner, që më pas bëri edhe denoncimin në polici.
24 orë pas denoncimit ka ardhur edhe reagimi, pasi policia serbe ka arrestuar një 50-vjeçar me origjinë kineze, por që jeton në Beograd (emri nuk bëhet publik). Ai është arrestuar me akuzën e dhunës në familje dhe së shpejti do të procedohet nga një gjykatës.
Pamjet e rënda të prindit që godiste vajzën e tij me shpulla e shkelma, e tërhiqte nga flokët etj., kanë tronditur botën e tenisit e jo vetëm. “Pamje të tmerrshme, që nuk kanë nevojë për koment. Duhet të dënojmë çdo lloj abuzimi, brenda dhe jashtë fushës”, tha trajneri i njohur Patrick Mouratoglou.
Ndërsa tenistja spanjolle Paola Badosa, ka kërkuar ndihmë në rrjetet sociale nëse ndokush e njeh vajzën, për ta ndihmuar më tej psikologjikisht dhe stërvitur. Ndërkohë, pritet që prindi abuzues të mos lejohet më të punojë në Serbi, madje të përjashtohet përgjithnjë nga sporti i tenisit.