Qeveria e Kosovës pret që të arrihen tri marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Tregut të Përbashkët Rajonal.
Nga ekzekutivi kosovar thonë se në samitin e nesërm në Berlin, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor janë pajtuar për nënshkrimin e ujdive për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale.
Megjithatë, nuk bënë të ditur tejkalimin e dallimeve me Serbinë sa i përket referimit të Kosovës në këto marrëveshje, në të cilat negociatat kanë zgjatur rreth dy vite. Nga ana tjetër, dinamizmin e Procesit të Berlinit e mbështesin nga opozita dhe shoqëria civile në Kosovë.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë për KosovaPress se pas hyrjes në fuqi të këtyre marrëveshjeve, fillon edhe konkretisht zbatimi i tregut të përbashkët rajonal, i cili do të bëjë heqjen graduale të kufizimeve dhe barrierave në katër liritë mes mbi 17 milionë banorëve të Ballkanit Perëndimor.
“Pas gati dy vite të negociatave në nivel të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, është arritur pajtim për tre marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Tregut të Përbashkët Rajonal. Marrëveshjet që janë pajtuar janë ato për lirinë e lëvizjes me ID karta, për njohjen e institucioneve të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve. Marrëveshjet pritet të nënshkruhen me 3 nëntor në Samitin e Berlinit. Pas hyrjes në fuqi të marrëveshjeve, fillon edhe konkretisht zbatimi Tregut të Përbashkët Rajonal i cili do të bëjë heqjen graduale të kufizimeve dhe barrierave në katër liritë mes mbi 17 milionë banorëve të Ballkanit Perëndimor”, thotë ai.
Në favor të aktivizimit të Procesit të Berlinit, është edhe nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi.
“Ne si LDK kemi qenë në favor të aktivizimit më të madh të Procesit të Berlinit. Ne e kemi mbështetur si proces që nga fillimi në vitin 2014, kur është nisur kjo iniciativë, sidomos sa i përket tregut të përbashkët rajonal, i cili parasheh katër liritë themelore, siç është liria e lëvizjes, kapitalit dhe shërbimeve. Normalisht se ne vazhdojmë të mbështesim një iniciativë të tillë, ne shpresojmë që do të arrihen marrëveshjet që do të dërgojnë në normalizimin në kuptimin e lëvizjes së lirë”, deklaron Mjekiqi.
Ndërkaq, hulumtuesi në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, Arbër Fetahu, thotë për KosovaPress se Procesi i Berlinit është më shumë në favor të Kosovës se sa Ballkani i Hapur.
Ai shton se kancelari gjerman Olaf Scholz ka gatishmëri për të çuar përpara Procesin e Berlinit.
“Marrë parasysh se Procesi i Berlinit është proces me një pronësi ndërkombëtare dhe është investim i Bashkimit Evropian dhe Gjermanisë, edhe pse Serbia nuk e njeh Kosovën, konstilacioni se si funksionon Procesi i Berlinit është në favor të Kosovës si shtet i pavarur dhe i cili mëton të zhvillojë tregun rajonal edhe me partnerët regjionalë. Konsiderojmë se tash edhe pas iniciativës së Ballkanit të Hapur dhe ardhjen e kancelarit të ri ka gatishmëri për të çuar përpara këtë proces. Po ashtu ka gatishmëri edhe për një investim më të madh në Procesin e Berlinit. Besoj se takimi i 3 nëntorit do të jetë pasqyrë e mirë për të parë se sa do të dinamizohet ky proces. Marrëveshja me Bosnjën që u arrit për lëvizjen e lirë të qytetarëve tregoi se ky proces ka një lloj incentive dhe dëshiron të jetë në funksion. Do të jetë interesante të shohim edhe si do të rregullohet Tregu i Përbashkët Rajonal. A do të ketë ndonjë sistem të ri, projekt të ri, apo ndonjë lloj metode të re se si do të funksionojë ky treg”, thekson Fetahu.
Samiti i fundit i Procesit të Berlinit u mbajt më 5 korrik të vitit 2021, nën udhëheqjen e ish- kancelares gjermane, Angela Merkel.
Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe në asistimin e tyre në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, proces ky i filluar në 2014./ Kosovapress